Skenari i mundshëm nëse Kurti e Mustafa dështojnë të arrijnë marrëveshje

0
227

Nëse dështojnë, Kurti i ka opsion zgjedhjet, Thaçi e LDK mandatarin tjetër.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se në rast të dështimit të arritjes së një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përmendur edhe opsione të tjera të krijimit të qeverisë në rast se dështon koalicioni me partinë e Kurtit.

Një gjë të tillë e ka thënë ish-nënkryetari i LDK’së tashmë anëtarë i kryesisë, Haki Rugova. Në një intervistë për frontonline, Rugova ka përmendur variante të tjera, edhe pse Lutfi Haziri mbrëmë në një intervistë ka potencuar se këtë mandat LDK e sheh VV’në si të vetmin opsion për bashkëqeverisje duke theksuar se asnjëra prej partive s’kanë opsione të tjera.

“Kërkesat janë të njohura publikisht, por edhe ofertat. Se a do të arrihet marrëveshja varet nga ekipi negociator (kryesia) në krye me Isa Mustafën. Ta shohim a do të arrihet. Besoj që duhet të arrihet. Nëse nuk arrihet marrëveshja, shikojmë se ekzistojnë variante tjera plot, ka variante B, C. Shteti nuk guxon të kollapsojë, duhet të funksionojë. Mundet me u bo qeveria edhe pa Vetëvendosjen”, ka thënë Rugova më 8 janar.

Ndërkohë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën që i ka dërguar sot kreut të VV’së, Albin Kurti, i ka kërkuar që t’i tregojë nëse VV’ja do të mandatojë ndonjë emër për kryeministër apo nëse do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë, në mënyrë që siç potencohet ne letër të vazhdohet me mundësitë e tjera që jep Kushtetuta.

Këtu Thaçi ka përmendur pikën 87 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në të cilën nuk përjashtohet mundësia që partia e parë të refuzojë të propozojë një emër për kryeministër, dhe që i hap rrugë më pas presidentit të Republikës së Kosovës të mandatojë dikë tjetër për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

LDK dhe Vetëvendosje kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për koalicion edhe përkundër faktit që kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Përgjatë këtyre vonesave presidenti Thaçi ka qenë aktiv, duke i dërguar një seri letrash kreut të VV’së ku i kërkonte takime për të diskutuar rreth mandatimit për kryeministër.

Ndërkohë tashmë Kurti dhe Mustafa pas zhvillimeve të 26 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit janë takuar 3 herë radhazi. Kanë thënë se ka pasur lëvizje të pozicioneve. Nga LDK ndërkohë kanë treguar se i kanë bërë një ofertë konkrete LVV’së në takimin e të enjtes, ku nuk kishte dalë para mediave asnjë zyrtar për të treguar se çfarë ka ndodhur brenda takimit.