Skitarët e Kosovës marrin pjesë në Kampionatin Botëror “Are 2019”

0
345
Përfaqësuesja e Kosovës në skitari ka udhëtuar për në Suedi, ku prej 4 deri më 17 shkurt 2019 në qytetin Are do të mbahet Kampionati Botëror.
Kosova do të përfaqësohet me pesë garues të skijimit alpik. Përfaqësuesi i vetëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, Albin Tahiri, do të garojë në pesë disiplina: Sllallom, sllallom të madh, super sllallom i madh, kombinim alpik dhe lëshim. Tahiri ka deklaruar se në botërorin 2019 do të synojë të marrë rezultatet më të mira.
“Pres të bëjë më të mirën time, të kem paraqitje të kënaqshme dhe rezultatet do të vijnë eventualisht”, ka thënë Tahiri për “noc-kosovo.org”. Ai jeton në Suedi, kurse Kosovën e përfaqëson prej vitit 2010 nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare. Katër garuesit tjerë, Fiona Rrusta, Faton Shurrdhaj, Adea Kollqaku dhe Arbi Pupovci, do të garojnë në disiplinat: Sllallom dhe sllallom të madh, mirëpo paraprakisht të katërtit duhet të kalojnë garën parakualifikuese për të hyrë në garën finale.