Sokoli: Ja pse duhet ta kemi vetëm një Kombëtare shqiptare

Trajneri i njihur, Bylbyl Sokoli beson se Kosova dhe Shqipëria duhet ta kenë një Kombëtare të vetme, pasi që unifikimi do të sillte më shumë cilësi në skuadër, përderisa ndarja sjell shpërndarjen e cilësisë.

Pas ndeshjeve të nëntorit të Kosovës dhe Shqipërisë, në trojet shqiptare u ngjall debati se a duhet Kosova dhe Shqipëria ta kenë një Kombëtare të vetme e jo dy si tani, shkruan Gazeta Express.

Njëri ndër personat më të zëshëm në kauzën për unifikimin e një Kombëtareje shqiptare është trajneri Bylbyl Sokoli, i cili beson se një gjë e tillë do të lejohej edhe nga FIFA.

“Çështja e unifikimit nuk është vetëm çështje patriotike, është edhe çështje praktike. Për ta zbërthyer këtë, duhet të zbërthehen dy veprime: unifikimi dhe vazhdim ndarja”, ka thënë Sokoli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Çka sjell unifikimi dhe çka sjell vazhdim ndarja? Unifikimi sjell cilësi, sjell konkurrencë, sjell treg të fuqishëm, ekonomi në nivel shumë më të lartë. Ndërsa, vazhdim ndarja sjell shpërndarje të kualitetit, treg të lirë, mundësi për ata që nuk mund ta përballojnë konkurrencën në një treg më të madh”.

“Kështu do të vazhdojmë të kemi shumë ekipe përfaqësuese, shumë ekipe ku cilësia do të shpërndahet dhe kjo gjithmonë do të jetë në dëm të ekipit kombëtar shqiptar, që do të ishte shumë më i fuqishëm nëse do të ishte i bashkuar”.

“A do ta pranonte FIFA? Ju e dini se, sipas rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s, dy Federata kanë të drejtë bashkimin në një ligë unike me marrëveshje të dyanshme që të prezantohen së bashku në arenën ndërkombëtare”.

Sokoli propozon që përveç një ekipi kombëtar të përbashkët, Shqipëria dhe Kosova duhet t’i kenë edhe ligat e përbashkëta, në mënyrë që të rritej konkurrenca.