Sokoli: Kosova ka cilësi për të arritur Evropianin, vendimtare përballjet me Çekinë

0
60

Trajneri kosovar, Bylbyl Sokoli ka thënë se Kosova ka shënuar një ngritje të madhe në lojën e saj dhe ka të gjitha elementet për të siguruar kualifikimin në Euro 2020.

Ai thotë se kishte qenë optimist për fitoren ndaj Bullgarisë, megjithatë shton se një dramë e tillë ishte e paparashikueshme.

“Optimist kemi qenë të gjithë, ata që i kanë parë të arriturat e Kosovës në 13-14 ndeshje. Ato kanë qenë lojëra cilësore në të gjitha nivelet, mendoj në repartet strategjike mbrojtje – mesfushë – sulm. Optimist kemi qenë, por dorën në zemër ka qenë e vështirë me u parapa një dramë e tillë”, ka thënë Sokoli në Interaktiv të KTV-së.

Sokoli ka shtuar se futbollistët e Kosovës kanë zhvilluar një ndeshje shume të rëndësishme e dramatike.

“Në dhjetë minutat e fundit kanë treguar karakter e guxim për të arritur fitore. Ajo që është e rëndësishme është se futbollistët e Kosovës aspak s’kanë treguar respekt për Bullgarinë, që është shumë lart në renditje. Por, vlerat e futbollistëve ishte në të mirë të Kosovës. Vetëm Rashica vlen sa tërë ekipi i Bullgarisë”, u shpreh Sokoli.

Ai ka shtuar se është e vështirë të gjinden gabime kur të fitohet ndeshja, megjithatë ka thënë se ka pasur disa gabime në lojën e Kosovës, të cilat duhet të përmirësohen.

“ Pati lëshime në mesfushë, ku edhe u lejuan shumë hapësira, e mendoj se kjo ishte dobësia edhe në Mal të Zi. Kurse dobësia tjetër ishte duelet në ajër. Besoj se trajneri e ka vërejt dhe në këtë drejtim do të përmirësohet. Në aspektin fizik lojtarët ishin në nivel shumë të mirë, edhe zëvendësuesit bënë punën e tyre”, u shpreh ai.

Sipas Sokolit arma kryesore e Kosovës është homogjeniteti.

“Homogjeniteti i ekipit më së miri është pa te goli që iu dedikua Zenelit, e gjithashtu edhe te goli i tretë kur të gjithë festuan, pasi ka lojtarë që nuk janë të kënaqur kur rrinë në rezervë, por kjo tregon se Kosova është homogjene. Me këtë fitore të madhe tani na obligon që të kërkohet kualifikimi për në Evropian me këtë cilësi që ka. Me këtë fitore mendoj se tash ekipi funksionon si grup, e fitorja më e madhe është se është krijuar një grup homogjen, e rezultatet do të jenë edhe më të mira”, u shpreh Sokoli.

Sokoli ka lavdëruar punën që ka bërë Challandes.

“Ekipi i Kosovës me ardhjen e Challandes ka pasur disiplinë më të madhe e kontroll të mirë. Edhe pse kur ke yje i ke vështirë me i kontrolluar, por ai ia ka dalë dhe ka krijuar atmosferë të mirë. Ekipi dalngadalë po fiton në përvojë. Nëse e shikoni Rashicën në Vitesse dhe në Werder ka dallime jashtëzakonisht të mëdha. Po mendoj se futbollistët shqiptarë t’i shohim në arenën ndërkombëtare është shumë e mirë. Në Kosovë ka lojtarë që janë zhvilluar në lloqin tonë. Rashica nuk ka përvoja ndërkombëtare, dhe këta futbollistë si Rashica, Zhegrova, Rrahmani e Bekaj janë zhvilluar kur Kosova nuk ka qenë e pranuar në UEFA e FIFA”, ka thënë Sokoli.

Tutje ai ka shtuar se duhet me ju marr lakmi se ku kanë arritur, për një kohë kaq të shkurtë.

Kosova, sipas tij, ka futbollistë të rinj me perspektivë dhe kjo fitore veçse krijon vetëbesim dhe atë e kanë krijuar edhe 13 ndeshjet e kaluara pa humbje.

Më e rëndësishmja për kualifikimin në evropian do të jetë përballja direkte ndaj Çekisë.

“Mendoj se gjithçka do të jetë mirë ndaj Çekisë e Anglisë, sidomos ndaj asaj të parës me të cilën jemi në përballje direkte. Pas kësaj ndeshje ne kemi të drejtë të kërkojmë kualifikimin pasi kemi treguar vërtet cilësi, kurse lufta ndërmjet Çekisë dhe Kosovës do të jetë për vendin e dytë. Por, kjo varet edhe nga ndeshjet ndërmjet Çekisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. E qartë se Anglia është favorit dhe ndoshta ndeshjet direkte ndërmjet Çekisë dhe Kosovës do të jenë vendimtare. Gjasat janë të mëdha për kualifikim, por vendimtare janë takimet direkte ndërmjet Kosovës dhe Çekisë”, u shpreh Sokoli.

Ai ka shtuar se pas lëndimit të Zenelit e natyrshme ishte që barra të binte mbi Rashicën, që tregoi një ndeshje të jashtëzakonshme dhe këtë e tregojnë edhe statistikat.

“Momentalisht Rashica është një djalosh që po kontrollohet shumë mirë, por supozoj edhe nga prindërit por edhe nga psikologët që janë me të. Në këtë moshë ata janë shumë të nevojshëm, pasi sporti është një profesion jashtëzakonisht i vështirë. E ai po merret me bamirësi gjë që është veti e lojtarëve të mëdhenj. Edhe Zhegrova ka pasur paraqitje jashtëzakonisht të mirë sidomos ndaj Bullgarisë. Përfaqësuesja me stafin teknik besoj se do ta udhëheqin edhe Zhegrovën. Qëllimi kryesor është loja në grup, dhe nëse në grup ka shumë yje që nuk luajnë si grup atëherë ka telashe”, ka thënë ai.

Sipas tij ajo që na bënë me qenë optimistë është rritja e cilësisë në lojën e Kosovës dhe kjo fitore ndaj Bullgarisë na bënë të jemi optimistë për ndeshjet ku kërkohet kualifikimi.

“Të gjithë janë shpreh me shumë lëvdata për lojën e cila i ka befasuar, e më së shumti e ka befasuar trajnerin bullgar, i cili e ka pranuar se ekipi i tij nuk ka lojtarë aq të mirë sa Kosova. Në ndërprerje Kosova ka treguar labilitet, përkundër që portieri i Kosovës është lojtari numër një kur bëhet fjalë për qetësinë psikike. Ai ka dhënë sinjale ekipit që të jetë i qetë, dhe të mos ketë panik. Por, te ekipi jonë nuk ka ndodhë panika pasi Muriq me kohë ka bërë pasime të gjata e të shkurtra. Dhe kështu është arrit fitorja ndaj Bullgarisë, me Anglinë do të jetë ndryshe por besoj se Kosova tani mund të luajë me çdo përfaqësuese në Evropian”, u shpreh Sokoli.

Tutja ai ka folur edhe për kombëtaren e Shqipërisë, për të cilën ka thënë se me Edi Rejan tani ka nisur ta rindërtojë ekipin, megjithatë theksoi se mbetet prapa Kosovës por është duke shkuar në rrugë shumë të mirë me lojtarët e ri që ka në dispozicion.

E Reja ka nisur të ndërtojë një atmosferë të mirë brenda skuadrës që sipas tij është vendimtare.

Ndërsa për Kosovën U21 tha se ka parë lojtarë shumë të mirë, sidomos në fitoren e sotme ndaj Turqisë me rezultat prej 3 me 1, sipas tij futbollistët treguan se kualitetet e tyre.