Sonte fillon llogaritja verore e kohës

Në natën mes të shtunës dhe të dielës (30-31 mars) fillon llogaritja verore e kohës. Shumica e vendeve të Evropës do t’i zhvendosin akrepat përpara për një orë të dielën, më 31 mars 2019. Momenti zyrtar i ndryshimit të orës është pikërisht në orë 02:00, atëherë kur akrepat kalojnë 60 minuta para duke shënuar 03:00.

Në shtator të vitit 2018, Komisioni Evropian nxori një projekt-direktivë. Në një sondazh publik, më shumë se 80% e 4.6 milionë të anketuarve votuan për t’i dhënë fund ndryshimeve të orës sezonale, por Shtetet Anëtare të BE-së u bënë thirrje për më shumë kohë para se t’i jepin fund kësaj praktike.

Prej vitit 1981 u vendos ndryshimi i orës, që përfshin të gjithë Evropën, ku në shumë shtete të saj, akrepat e orës lëvizin 60 minuta përpara.

Norma evropiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ata lëvizin 1 orë pas.

Parlamentarët evropianë kanë votuar për t’i dhënë fund ndryshimit të orës 2 herë në vit, por kjo do të finalizohet në prillin e vitit 2021, dy vite pas propozimit të parë të ligjvënësve evropianë./lajmi.net