Sot është Dita Botërore e Ujit, rreth 1,1 miliardë njerëz nuk kanë qasje në ujë për pirje

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me rastin e Ditës Botërore të Ujit do të realizojë disa aktivitete, me moton botërore “Natyra për Ujin”.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite është bërë shpërndarja e materialeve promovuese në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në sheshin qendror  të Gjilanit.
MPMH ka mbajtur po ashtu aktivitete me nxënës të shkollave fillore tek penda e Përlepnicës si dhe tryeza me temë ”Natyra për Ujin” në kontekst të PZHK-së, që do të mbahet në sallën e Hotelit “Kristal” në Gjilan.
Dita e parë Botërore e Ujit është shënuar me 22.03.1993. Kjo ditë shënohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit për pirje dhe me qëllim të apelimit te të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit për pirje.
Ekspertët vlerësojnë që rreth 1,1 miliardë njerëz nuk kanë qasje në ujë për pirje, kurse 2,5 miliardë njerëz nuk i kanë të siguruara kushtet elementare higjieno-shëndetësore.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë mjaft të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve të klimës./Fokusi.info/

Lini një Përgjigje