Sot mbahet konferenca përgatitore në rastin Gucati dhe Haradinaj

0
136

Sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, do të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarve Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate këtë të enjte është paraparë të mbahet konference përgatitore për mbrojtjen e të akuzuarve Gucatit dhe Haradinajt, raporton, Fokusi.info.

Ndryshe, dy ditë më parë Specialja ka hedhur poshtë mocionet e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave ndaj Gucatit dhe Haradinajt.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ka filluar në muajin tetor të këtij viti, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar  e ka mbyllur çështjen e saj në nëntor.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.