Sot nis Samiti Rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor

Në Mal të Zi sot e nesër mbahet Samiti Rajonal i liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim, që mbahet në Kotorr, pritet të marrë pjesë edhe ndihmëssekretari amerikan në Byronë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, James O’Brien.

Angazhimet e tij në samit do të fokusohen në integrimin ekonomik rajonal dhe mundësinë e rritjes të ofruar nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor të BE-së, si dhe do të përforcojnë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, thuhet në komunikatë e Departamentit të Shtetit.

Ky samit, do të shërbejë si platformë për të diskutuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me synim të përshpejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Muajt e fundit në Shkup dhe Tiranë janë zhvilluar takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Në këto takime, udhëheqësit dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara diskutuan mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar afrimin socio-ekonomik me Bashkimin Evropian, pra dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të favorshme të garantuara nga BE.

Lini një Përgjigje