Sot skadon afati i Thaçit

0
189

Pasditën e sotme përfundon afati kohor prej 48 orësh që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ofroi kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për të nominuar kandidatin për kryeministër.

Pas takimit disaminutësh të së hënës me Kurtin, Thaçi tha se kreu i VV-së nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit dhe se kishte vendosur t’i ofronte edhe 48 orë shtesë para se të ndërmerrte veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.

Megjithatë, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, i cili shoqëroi Kurtin në këtë takim tha se Thaçi në asnjë moment nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kandidatit për kryeministër e aq më pak afatin prej 48 orëve.

Sipas tij, ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm nuk ka bazë kushtetuese.

Se afati kohor prej 48 orësh nuk ka bazë kushtetuese e thotë edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Ai tha se nuk afat kohor kur LVV duhet të propozojë mandatarin, dhe se rrjedhja e afateve kohore për formimin e qeverisë fillon në momentin kur LVV do të dërgojë tek presidenti emrin e kandidatit për kryeministër.

Pasi të ndodh kjo, ai theksoi se rrjedh afati prej 15 ditësh për t’u formuar Qeveria. Baraliu shtoi se kushtetuta e vendit do të duhej të përcaktonte të gjitha afatet, pasi sipas tij po krijohen shumë paqartësi.