Specialja pritet ta vazhdojë mandatin, Haxhiu e respekton një vendim të tillë

Zëdhënës i Gjykatës Speciale në Hagë, Michael Doyle, ka konfirmoi se ky institucion do ta vazhdojë mandatin e tij të punës edhe përtej gushtit të këtij viti kur edhe bëhen 5 vjet prej kur Gjykata Speciale mori dritën e gjelbër për të nisur punën.

Në bazë të amendamentit kushtetues për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, thuhet se “Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar” do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin Nr 04/L-274 bëhet më herët.

Në bazë të Ligjit Nr 04/L-274 tregohet se si mandati i Gjykatës Speciale vazhdon deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se ka përfunduar procedurat hetimore, e që shihet qartë se një njoftim i tillë do të bëhet më vonë e jo më herët sesa gushti i 2020-ës.

Lidhur me çështjen e mandatit për Klan Kosovën ka folur edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila sa ka qenë deputete e opozitës bashkë me partinë e saj kanë kundërshtuar fuqishëm ngritjen e një institucioni të tillë duke thënë se janë të angazhuar në ngritjen e institucioneve vendore të drejtësisë për të kryer hetimet dhe dënimet e krimeve të luftës.

“Në përputhje me programin qeverisës, Qeveria jonë, do të angazhohet për fuqizimin e institucioneve tona të drejtësisë, me qëllim të hetimit, gjykimit dhe dënimit të krimeve të kryerja gjatë luftës në Kosovë. Për qeverisjen tonë është e papranueshme që ende afër 21 vite të pasluftës, krimet e luftës, krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, nuk janë dënuar dhe kriminelët ende sillen lirshëm”.

Mandati i Dhomave të Specializuara pritet se do të përfundojë deri në momentin kur Kosova merr njoftimin nga Këshilli i BE-së se hetimet kanë përfunduar si dhe çdo procedurë nga dhomat gjyqësore që rezultojnë nga ato hetime, të kenë përfunduar.

“Në këtë kontekst na paraqiten dy situata juridiko-kushtetuese të cilat nuk mund t’i mbivendosen njëra-tjetrës. Së pari, sepse marrëveshjet ndërkombëtare mund të shfuqizohen sipas mënyrës së ratifikimit të tyre dhe në përputhje me të drejtën e Traktateve dhe Konventën e Vjenës”, thotë Haxhiu.

“Pavarësisht mospajtimit tonë me Gjykatën Speciale, pushtetet e kaluara, të njëjtën e kanë përbrendësuar dhe si rrjedhojë e kësaj, pavarësisht, që në amendamentin kushtetues thuhet se mandati i saj është 5 vite, ekziston marrëveshja ndërkombëtare sikur më lartë që pamundëson tërheqjen e njëanshme”.

Shefja në detyrë e dikasterit të Drejtësisë ka treguar se që nga marrja e mandatit të saj nuk ka zhvilluar asnjëherë takime dhe as komunikime me ndonjë përfaqësues të Dhomave të Specializuara në Hagë, as për çështjen e mandatit por as të tjera.

Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, duke e konsideruar si një institucion i cili do të paraqesë një pasqyrë të shtrembëruar për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në kohën kur Kuvendi ka votuar amendamentin 24, që Gjykatën Speciale e përbrendëson në Kushtetutë, ne e kemi dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por qartazi dihet se presionet aso kohe kanë qenë shumë të mëdha prandaj pavarësisht angazhimit tonë, nuk kemi arritur ta ndalojmë”.

Nënkryetari i shoqatës së Avokatëve të Gjykatës Speciale, Artan Qerkini, ka bërë të ditur se si juridiksioni kohor mund të përdoret si argument i fortë nga ana e mbrojtësve të të ftuarve të Speciales për t’i kundërshtuar aktakuzat e mundshme që pritet të ngrihen.

Sipas Qerkinit një arsye e tillë nga mbrojtësit mund të përdoret edhe për aktakuzat që ngrihen pas muajit Gusht por edhe për ato që tashmë janë ngritur dhe që po procedohen nga ana e gjyqtarit francez të procedurës paraprake, Nicolas Gillou.

Përmbajtja e këtyre aktakuzave, derisa këto të konfirmohen nga ana e gjyqtarëve, është tejet konfidenciale.