Spitali i Prishtinës gati brenda tri viteve

Ministri i Shëndetësisë (MSh) Uran Ismaili dhe ai i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar kanë nënshkruar Memorandum për Spitalin e Prishtinës.
Pas nënshkrimit të memorandumit në një konferencën për media ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka sqaruar se spitali do të jetë gati brenda 3 vitesh dhe do të kushtojë mbi 7 milionë euro.

“Puna e parë është të kemi një kod buxhetor, dihet se është ndarë një buxhet. Ne e kemi nda një buxhet 3 vjeçar, buxhet që nëse ka nevojë do të rritet, andaj brenda këtyre tri viteve ne kemi një plan ta përfundojmë”.

“A përfundon 6 muaj më herët apo më vonë muajt s’do të jenë më rëndësi. Deri tani është 7 milionë euro, nuk do të përfundojë me kaq”.

Ndërsa, sa i përket lokacionit se ku do zhvillohet ky projekt Ismaili ka thënë se akoma nuk është përcaktuar.

“Jo ende s’ka lokacion do ta shohim kapacitetin çfarë nevoja do të këtë. Ne si qeveri dhe komunë po besojmë do të bashkërendisim gjitha aktivitetet të rendisim këtë aktivitet”.

Sipas kreut të MSh-së, komuna e Prishtinës e meriton një projekt të tillë.

“Sot patëm hapin e parë të një kërkese të kamotshme të qytetarëve të Prishtinës për fillimin e projektimit të spitalit. Sot vendosim hapat e njëpasnjëshëm deri të ndërtimin e spitalit”.

“Ky projekt do të përfundoj më sukses do të jetë spital modern do të ketë shërbime moderne. Është një ditë e madhe kur për herë të parë realizojmë një kërkesë të kamotshme”.

Edhe ministri Yagcilar e quajti këtë projekt të rëndësishëm, raporton EO.

“Është projekte i rëndësishëm për Qeverinë shtetin dhe qytetarët sepse me realizim e projektit do të realizohen mundësi shëndetësore shumë më të mira”.

“Në këto faza do të vazhdojmë bashkëpunimin me komunën e Prishtinës me ju sepse është projekt sfidues dhe i rëndësishëm dhe ofron shërbime shëndetësor sidomos qytetarëve të komunës së Prishtinës”.