Sqarohen mosmarrëveshjet ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë për Kosovën

0
116

Disa ditë pas porosive të ashpra, të cilat shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ia kishte dërguar kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borissov, për shkak të qëndrimeve të kundërta për Kosovën, Serbia dhe Bullgaria i kanë ulur “shtizat” dhe i kanë vënë pikë tensioneve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri i Bullgarisë, Borissov dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nga samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Jahorinë të Bosnjë e Hercegovinës, kanë dërguar porosi se të gjitha mosmarrëveshjet janë sqaruar. Menjëherë pas kësaj, nga kabineti i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, është komunikuar se deklarata e Borissovit për Kosovën është “interpretuar gabimisht”.

Me dorën e hedhur mbi supet e koleges nga Serbia, Borissov dhe Bërnabiq, para kamerave në Jahorinë kanë porositur që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të mira dhe nuk ka nevojë për tensione.

“I kemi vënë pikën rrëfimit”

Rrëfimi, për të cilin flasin ata, është fronti diplomatik, të cilin Serbia e ka hapur në marrëdhëniet me vendet fqinje, për shkak të Kosovës. Gjithçka kishte filluar kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq, me fjalor jodiplomatik i është përgjigjur ndaj deklaratës së kryeministrit bullgar Borissov, i cili kishte thënë që shefi i ri i diplomacisë evropiane, spanjolli Josep Borrell duhet t’i përfaqësojë interesat e Bashkimit Evropian lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe jo të vendit të tij, i cili nuk e ka njohur këtë shtet.

Daçiqi, duke iu drejtuar Borissovit me “ti”, e ka porositur që “duhet të respektojë qëndrimin e Bashkimit Evropian”.

“Boyko, më duhet të të them një gjë. Qëndrimi i BE-së nuk është që Kosova është shtet i pavarur. Ti, Boyko, ke për ta respektuar qëndrimin e BE-së dhe jo që t’i mbash leksione Borrellit”, ka thënë Daçiq në intervistën për radiotelevizionin publik të Serbisë, duke shtuar edhe pyetjen “çfarë do të thotë kjo pafytyrësi dhe në çfarë përngjan kjo?”.

Kornizat diplomatike të Daçiqit

Menjëherë pas kësaj, pasoi thirrja e ambasadorit të Serbisë në Sofje, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, prej nga është komunikuar që komenti i shefit të diplomacisë së Serbisë është i papranueshëm dhe që nuk u përgjigjet pritjeve të Bullgarisë në kuptimin e mbajtjes së marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësore ndërmjet dy vendeve. Serbia bëri të njëjtën gjë, duke e thirrur të ngarkuarin me punë të Bullgarisë në Beograd. Disa ditë më pas, Daçiq ka thënë se është krijuar mosmarrëveshje dhe është bërë interpretim i gabuar i deklaratave të Borissovit.

/Shkrimin e plotë e keni te Radio Evropa e Lirë/