Standarde të dyfishta për karantinimin e qytetarëve kosovarë

Katër shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, u është lejuar hyrja në Kosovë për të marrë pjesë në një ceremoni varrimi të një familjari të tyre.

Ata nuk do të futën në karantinë, por do të qëndrojnë tre ditë në territorin e Kosovës dhe më pas do të kthehen në vendet e tyre të punës, raporton IndeksOnline.

Kërkesa e tyre është aprovuar nga Qendra Operative Emergjente në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Këto qendra njëjtë nuk kanë vepruar edhe në rastin e deputetit Behgjet Pacolli, i cili kishte mbetur në Lugano të Zvicrës dhe kishte shprehur interesim të kthehet në Kosovë për të kryer disa punë. Pacollit i është kërkuar që nëse vjen në Kosovë duhet të dërgohet në karantinë për dy javë.

Pra këto institucione kompetente po aplikojnë standarde të dyfishta në raste të caktuara ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

IndeksOnline ka siguruar korrespodencën e shkëmbimit të letrave nga parashtruesi i kërkesës për të marrë pjesë në ceremoni varrimi dhe kthimin e përgjigjeve nga institucionet kompetente.

“I nderuari ambasador, Lulzim Pllana. Luteni të shfrytëzoni autoritetin tuaj për aprovimin e kërkesës hyrëse në Kosovë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të vëllait, tani më i ndjerë F. Ramadani, me kërkesë që të mos futen në karantinim dhe pas tri ditësh do kthehën prapë në Austri, sepse janë në marrëdhënie të rregullt pune. Luteni gjithashtu edhe për kalim transit nëpër Slloveni, Kroaci dhe Mal të Zi. Katër qytetarët tonë planifikojnë të udhëtojnë me Automobil nga Slazburgu në drejyim Villach- Karaëankentunnel”, thuhet në kërkesën e A.Ramadanit drejtuar ambasadorit Pllana.

Në kërkesë specifikohen të dhënat për katër qytetarët dhe ato të makinës me të cilën udhëtojnë ata.

Ndërsa në përgjigjen e Qendrës Operative Emergjente- Ministria e Shëndetësisë, thuhet: “Nuk ka nevojë për karantinimin por vetëm duhet të merren parasysh rekomandimet e dala në vendimin për ceremoni mortore”.

Ndërsa Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike kishte aprovuar kërkesën për hyrje të këtyre shtetasve kosovare.