Studentja i jep një leksion të mirë pedagogut: S’më vjen turp ta pranoj që jam një e varfër që dua të arsimohem!

0
237

Që prej protestave studentore, të gjithë ata që nuk kishin mundësi ekonomike për të përballuar tarifën shkollore e që iu duhej të bënin dy punë për të vazhduar përpara, morën zemër dhe kuptuan forcën që sjell bashkimi për një kauzë të drejtë.

Albina Ruko është një prej studenteve të njohura për pjesëmarrjen e saj në Protestën Studentore dhe kryengritjes ndaj sistemit arsimor dhe politikë-bërjes në vend.

Së fundmi ajo ka postuar një shkrim mbi një pedagogun e saj në Shkencat Sociale, ku i shpreh atij pakënaqësitë dhe përbuzjen që u bëhet studentëve të varfër.

Ajo ironizon gjithashtu edhe orët e leksioneve të mbushura me rrëfime eksperiencash personale të vetë-pedagogut ndaj studentëve, të cilët presin të marrin dije dhe jo të dëgjojnë gjatë “orëve të shenjta” se nipi i tij ka të preferuar Messin.

Ruko i kujton gjithashtu se si ai i ka përçmuar gjatë protestave studentore dhe si i ka funksionuar skema e shitjes së librave me listë-prezencë në auditor.

SHKRIMI:

I dashur profesor!

Sot nuk më lejove të bëja provimin. Më ofendove dhe më detyrove që të dilja nga klasa si një studente e çrregullt që nuk i kisha frekuentuar të gjitha orët.

Më the se nëse Dekani do më jepte lejë, edhe mund të më lije të qëndroja në provim. Më the gjithashtu që po respektoje rregullat e vendosura nga fakulteti.

Më kujtohet mirë që kur na flisje për nacionalizmin, na tregoje edhe për vajzën tënde që jeton jashtë Shqipërisë. Që ka dy djem, njëri në klase të dytë e tjetri në kopsht. Më kujtohet mirë që djali që është në klasë të dytë luan futboll dhe e ka shumë qejf Messin. Vajza jote është profesoreshë dhe ka një burrë shumë të mirë.

Ti shkon i viziton shpesh ata për pushime dhe je shumë i lumtur për këtë gjë. Historitë familjare janë shumë të bukura kur na flet dhe për nacionalizmin. E sheh, unë mbaj mend shumë gjëra nga orët e tua të leksionit. Madje po mendoj të botoj dhe një libër me tregime për nipërit e tu.

Na thua se jemi Fakulteti i Shkencave Sociale dhe ne që studiojmë sociologji nuk duhet kurrë ta gjykojmë individin apo shoqërinë, por gjatë bojkotit studentor më the se jam e varfër dhe s’kam të drejtë të vij në fakultet nëse nuk e paguaj dot tarifën. Na ke mësuar se të jesh pjesë e këtij fakulteti duhet të flasësh me gjuhë të bukur, intelektualësh, por gjatë bojkotit na ofendove duke na thënë që “jeni llumi i kësaj shoqërie”. Na ke mësuar se të jesh nacionalist duhet të luftosh për vendin tënd, por ti je palë me ata që po na thonë se fakulteti ynë nuk sjell benefite shoqërore. Kur na thoje se dija nuk blihet, vije dhe na shisje libra brenda auditorit me detyrim. Na thoje se na duheshin dhe se ekzistonte listë-prezenca për ata që do dhe s’do i merrnin librat.

Na ke folur edhe për sistemin politik në vend, sesa shumë e do dhe sesa mbështetës i fortë je. Dikur ke pas kandiduar për kryetar bashkie në Vlorë, por s’ia dole ta fitoj atë post. E ndaj sot je profesor doktor i nderuar që ke dhënë një kontribut të lartë në shoqërinë tonë. Kam mësuar shumë gjëra nga ty në fakt. Kam kuptuar si të mësoj përmendësh si robot dhe të nesërmen t’i harroj të gjitha ato që kam lexuar. Kam mësuar se rregullat vlejnë veç për ne kur tentojmë t’i thyejmë ato se nuk na duken të drejta. Kam kuptuar çdo të thotë të tregosh autoritet, por më vjen keq, unë nuk e njoh atë.

Kam mësuar se të punosh dhe të arsimohesh sipas jush është e pamundur, ama këta studentë tregojnë të kundërtën. Kam kuptuar që kur na thoje se një ditë mbase ne do të ishim në vendin tuaj, s’më vjen keq por aspak shembull të mirë nuk po na e jepni, madje vë bast se Petriti, komshiu jot në katin e dytë, do na jepte një shembull më të mirë. Deri tani keni prodhuar studentë që kanë frikë, që i detyroni të binden dhe të mësojnë si doni ju.

Por unë refuzoj! Orët e leksionit dhe të seminarit dua t’i shfrytëzoj diku tjetër në kontribut të shoqërisë. Refuzoj të dëgjoj historitë e nipërve të tu. Varfëria më ka bërë më të fortë dhe s’më vjen aspak turp ta pranoj që jam një e varfër që dua të arsimohem. Mos u ndjeni i turpëruar zotëria juaj, jo të gjithë kanë qenë ambasadorë.

Ndoshta kur ta marr lëndën tuaj do e bëj një studim për sjellet në shoqëri. Me siguri do më duhet një kohë e gjatë. Gjithë të mirat profesor! Do shihemi sërish në dyert e fakultetit. Me dashuri, studentja që refuzon të jetë pjesë e “dijes”.