Sundimtari makiavelist

Shkruan: Nezir Klinaku

Është bërë e natyrshme që politikanët të premtojnë, të zotohen e të betohen për punë dhe suksese, të cilat do t’i bëjnë kur të marrin pushtetin, por njëkohësisht edhe nga ana e qytetarëve, pothuaj, është bërë e natyrshme të kenë hezitim për t’u besuar, apo edhe për të mos u besuar fare politikanëve. Megjithatë, nuk është aspak e natyrshme për një politikan të premtojë, të zotohet dhe të betohet për arritjen e sukseseve kur ai është në pushtet. Ngase, tanimë nuk është koha të premtohet, të zotohet e të betohet, por është koha të punojë.

Në Vushtrri, kryetarit të komunës si duket i është ndalur ora në fushatën parazgjedhore dhe ka mbetur akoma aty. Në vend se të bëjë punë, ai premton, zotohet e betohet për arritje të sukseseve. Ndonëse po i afrohet përfundimit të gjysmës së mandatit të tij të parë, pa pikë dyshimi edhe të fundit, ai nuk ka arritur të bëjë asnjë hap të rëndësishëm në drejtim të realizimit të projekteve milionshe, siç ka dëshirë t’i quaj ai investimet kapitale.

PARKU I BIZNESIT NË LUMADH

“Në Parkun e biznesit në Lumadh që përfshinë një hapësirë prej 14 hektarëve synojmë që të punësohen 1000 persona”, kishte thënë Xhafer Tahiri. Në atë kohë kishte bërë me dije se: “nga buxheti i shtetit janë siguruar 1 milion e 200 mijë euro për investime në periudhën trevjeçare në Parkun e biznesit në Lumadh”. Po ashtu ka deklaruar se: “Parku i biznesit është projekti më i madh ekonomik në 20 vitet e fundit në Vushtrri”

MINIERA E MAGNEZITIT

Kishte thënë: “Polakët investojnë 5 milionë euro për riaktivizimin e minierës së magnezitit.” Dhe kishte deklaruar se: “brenda 7 vjetësh kompania “Bisek” do të investojë 5 milionë euro, ndërsa nga ky investim do të krijohen 150 vende pune, kryesisht për banorët lokal”.

LARGIMI I KABLLOVE NGA SHESHI

Ka shkruar se: “Punimet fillojnë se shpejti. Good job!”. Po ashtu ka bërë me dije se: “është arritur marrëveshje me KEDS-in dhe në muajin tetor (2018) pritet të fillojë largimi i kabllove dhe shtyllave elektrike nga Bulevardi “Adem Jashari”.

PROJEKTI 100-MILIONËSH

Bazuar në ecurinë e projekteve tjera, nuk do të presim gjatë derisa ta kuptojmë se edhe ky është projekt “Good job” , i Xhafer Tahirit.

Kaloi gjysma e vitit 2019, e qytetarët të pyesin:

Ku janë projektet tjera për të cilat jeni zotuar t’i realizoni?

Ku është uji?

Ku është stacioni i autobusëve?

Ku është tregu?

Ku janë shujtat ditore për nxënësit?

Ku është qendra historike?

Ku? Ku? Ku-ku?

Kuku!

Kryetar, qytetarët që të besuan po kukasin, sepse ata që nuk të besuan s’kanë arsye ta bëjnë këtë.

Kryetar, qytetarët të kanë besuar, por ti nuk arrite t’ua kthesh besimin atyre, përkundrazi, i zhgënjeve, madje shpejt, akoma pa u bërë dy vite të plota. Krejt ajo që bënë, kryetari Tahiri, duket sikur provon të krijoj një personalitet të veçantë, të ngjashëm me personalitetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, megjithatë kopjet dhe imitimet çdoherë dalin keq. Nuk të shkon roli i tij. Nuk je president. Sado që je i ri në moshë dhe provon të përdorësh metoda të vjetra, përvoja juaj ka dëshmuar se ke vetëm një dëshirë; të luash rolin e një luani, si mbret i xhunglës, të cilin e mbani edhe në foto-profilin tuaj në Facebook. Siç thotë Nikolo Makiaveli “Të qeverisësh do të thotë të bësh të të besojnë”, por sipas shpejgimit të tij, sundimtari duhet të që sipas rrethanave të sillet herë si luan e herë si dhelpër. Andaj, dëshira juaj për t’u dukur si një luan politik, shpeshherë të bën të dukesh ndryshe. Por, Vushtrria nuk është xhungël dhe ti nuk je mbret i saj. Nuk je as sundimtar, as princ edhe pse vetja mund të të duket i tillë.

Ty të votoi edhe një komunitet i njerëzve që nuk të besonin, një komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen, por të cilët kanë mbetur i vetmi “komunitet besnik” ndaj teje, dhe ndaj të cilëve po sillesh si mbret. Atyre u ka humbur rruga në oborr dhe lehtë, ashtu të humbur, mund edhe të dalin nga oborri.

Nëse vazhdon kështu, do të mbetesh i vetëm në “oborrin mbretëror”, do të mbetesh i vetëm në “fron”, por gjithsesi në Vushtrri, shpejt mund të dëgjohen thirrjet “Xhafa ik!”, sepse vushtrriasit nuk të durojnë të sillesh si luan, e të veprosh ndryshe.