Syla: Haradinaj e ka lehtë të bllokojë, pasi qeveria e tij veçse është e rrëzuar

Analisti Valon Syla në emisionin “InfoMagazine” në Klan Kosova ka vlerësuar se taksa 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, do të duhej të hiqej.
Ai madje ka thënë se qeveria Haradinaj ka vetëm një mundësi, atë të heqjes së taksës, ndryshe do e komplikojë agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi.
“Haradinaj e ka lehte të bllokojë me taksën duke e pasur parasysh se është udhëheqës i një qeverie veçse të rrezuar e cila është në mëshirën e PDK-së që po e mban me frymëmarrje artificiale, ndërsa ai po krekoset se nuk do i heqë, do i vë apo jo dikujt taksë”.
“Është një parti e vogël e cila ka ndërhyrë në një agjendë që është me e larte se sa AAK-ja. Është një agjendë e shpejtë për arritjen e një marrëveshje. Madje edhe opozita po tregojnë më shumë konstruktivitet se sa qeveria”.
Syla në Info Magazine komentoi edhe takimin e sotëm Kosnett-Veseli- Haradinaj, dhe pohoi se mesazhi ishte i qartë për heqjen e taksës.
Ai tha se edhe kryeparlamentari Kadri Veseli dha dritën e gjelbër.
“Kadri Veseli pas takimit tha se nuk e kemi ndërmend të prishemi me amerikanët dhe se taksa e ka arritë qëllimin e saj. Tani topi është tek qeveria që ta heqë taksën”.