Tadiq: Serbia në listën e “vendeve të poshtëruara”

0
254

Ish-Presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Boris Tadiq, ka njoftuar se Serbia që nga dita e djeshme është në listën e zezë të organizatës ndërqeveritare që lufton kundër larjes së parave dhe financimit të organizatave terroriste (FATF).

“Serbia prej dje është gjendur në ‘listën e zezë’, bashkë me Jemenin, Sirinë, Irakun, me shtetet që marrin pjesë në larjen e parave dhe institucionet e të cilave nuk e pengojnë derdhjen e parave për organizatat terroriste. Këtë qeveria jonë e fsheh nga publiku”, u tha Tadiq gazetarëve para selisë së partisë, shkruan B92, përcjell Fokusi.

Ai shtoi se nga kjo listë është përjashtuar Bosnja e Hercegovina, ndërsa Serbia është futur në të, gjë që e bën vendin e vetëm nga Ballkani në atë listë të ‘vendeve të poshtëruara’.

“Shumë herë kam thënë për njerëzit që sot janë në pushtet shesin ilegalisht armë për grupet terroriste dhe subjekte të ndryshme paralele në botë, si rezultat i të gjitha është se Serbia tash është në ‘listën e zezë’”, ka thënë Tadiq.

Tadiq ka thënë se vrasja e Oliver Ivanoviqit, liderit të Iniciativës Qytetare SDP, “ka lidhje me krim të organizuar, pastrim parash dhe e ndërlidh Serbinë me vendet më të zeza të botës”.

“E gjithë kjo ndërlidhet në sistem të përbashkët, e kjo është hallka e shtetit me krimin e organizuar, që prodhon rrezik për jetën jo vetëm të qytetarit siç ishte Oliver Ivanoviq, por për të gjithë qytetarët”, ka vlerësuar ish-Presidenti serb, Tadiq.

“Vrasja e Oliver Ivanoviqit është vrasja e katërt politike që ka ndodhur në 20 vjetët e fundit në Serbi dhe ne jemi i vetmi vend në territorin e Evropës ku ka ndodhur diçka që turpëron të gjithë përfaqësuesit e shtetit”, ka shtuar ai.

Përveç kësaj, Tadiq ka rikujtuar se Ivanoviq para se të vritej kishte tërhequr vërejtjen për kërcënime dhe se për këtë kishte informuar Agjencinë Informative të Sigurisë (BIA), por Ivanoviqin askush nuk e kishin marr në mbrojtje.