Tahiri: Çfarëdo që ka përqesh Kurti, siç thotë populli, po e vesh

0
83

Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha se të enjten do të mbajnë seancë për rritjen e çmimeve të energjisë, duke shtuar se do ta kundërshtojnë me çdo kusht një rritje të tillë.

“Të enjten e kemi një debat ku do të diskutojmë për ngritjen e çmimeve, është e pabesueshme se çfarëdo që e ka kritiku përqesh Kurti, siç thonë populli, atë po e vesh”, ka thënë Tahiri për Edicionin Special.

Sipas Tahirit kjo është ndër qeveritë më të dobëta, pasi programet që ka prezantuar dhe premtimet që kanë dhënë, nuk po i realizon.

Ai tha se qëndrimet e Kurtit kanë qenë jashtëzakonisht të ashpra në raport edhe me pagesën e energjisë për serbët në veri edhe me shtrenjtimin e energjisë, dhe” tash duke harruar të gjitha premtimet nuk është asgjë tjetër vetëm se mashtrim klasik që u bëhet qytetarëve”

Sipas Tahirit tarifat për pagimin e rrymës, janë enorme dhe të papërballueshme për qytetarët e vendit.

“Tarifat janë tarifa enorme, konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovat për orë, e i kanë pagu 58 euro, tash duhet të paguajnë afër 110 euro, ata që kanë shpenzuar mbi 800 kilovat në orë, e kanë paguar 48 euro, tash duhet të paguajnë 78 euro, kjo rritje është e papërballueshme për qytetarët”, ka shtuar ai.

Ai tha se edhe AAK sa ishte në qeveri ka kaluar në një situatë të tillë energjetike, por që sipas tij atë kohë Haradinaj ka ndenjur me javë të tëra në Korporatën Energjetike të Kosovës për të zhbllokuar situatën.

“Ne e kemi pasë një situatë shumë të ngjashme edhe ma të keqe kur e kemi qenë në qeveri, atë kohë kryeministri Haradinaj ka qëndru me javë të terë në KEK me zhblloku situatën, nga kjo qeveri kemi parë një neglizhim total”, ka vazhduar Tahiri.

“Do të kërkojmë të enjten pas përfundimit të debatit, një rezolutë ku do të kërkojmë që çmimi i energjisë të mos ngritet, po ashtu do të kërkojmë nga qeveria me i marrë gjitha masat për rivitalizim të situatës”, tha ai.

Ai tha se nuk do të protestojnë pasi vendi ndodhet në një situatë të vështirë pandemike.

Ai tha që pret nga Vetëvendosje që t’i përkrahë për rezolutën e AAK-së, pasi sipas tyre edhe këta të fundit e kanë përkrahur të enjten për referendumin serb.

“Pres që Vetëvendosje ashtu siç ia dhamë ne mbështetjen pa kalkulim të premten edhe ata duhet me e votu rezolutën tonë të enjten”, shtoi ai.