Tahiri: Projektligji për zyrtarët publikë s’duhet të kalojë

0
134

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas procedimit të Ligjit për Zyrtarët Publik nga ana e Ministrisë së Brendshme.

Demokracia.com disa orë më parë publikoi versionin final që ka shkuar tanimë për konsultime, ku shërbimi civil pëson ndryshime të shumta dhe bëhet lehtësisht i ndikueshëm ndaj çdo qeverie që vjen në pushtet.

Ajo që bie në sy në këtë projektligj është që edhe pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues tani i kanë bërë me emërim dhe mandat të caktuar.

Të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët kanë qenë në shërbimin civil para emërimit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, sipas këtij projektligji, sistemohen në një pozitë të lirë të kategorisë profesionale, me kusht që plotëson kriteret për emërim në pozitën në fjalë. Por, përjashtimisht me këtë, të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët nuk kanë qenë në shërbim civil, pas përfundimit të mandatit lirohen nga shërbimi civil.

E pikërisht për këtë ka reaguar shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili këtë projektligj e ka quajtur sulm mbi administratën shtetërore.

Sipas tij, Neni 46, Neni 66 dhe Neni 98 te dispozitat kalimtare janë nene kundërkushtetuese.

Postimi i plotë:

Duke e lexuar Projektligjin e ri për Zyrtarët Publik, jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike.

Ky projektligj qenka një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil pa përjashtim. Është kundër gjithçka që është arritur me BE-në dhe Sigma në dekadën e fundit.

Projektligji i ri për Zyrtarët Publik, respektivisht Neni 46, Neni 66 dhe Neni 98 te dispozitat kalimtare janë qartazi nene kundërkushtetuese, që në esencë janë fshesë e hekurt kundër menaxhmentit drejtues të administratës shtetërore.

Ky ligj nuk duhet të kalojë, assesi!