Tahiri: Votimi jashtë vendit për qytetarët nga diaspora vazhdon të manipulohet

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaroi se votimi jashtë vendit nga diaspora vazhdon te manipulohet, duke e penguar zbatimin e ligjit për zgjedhje të përgjithshme i cili ka hyrë në fuqi me 20 korrik 2023.

Në konferencë për media të mbajtur sot, ai shtoi se janë bërë më shumë se 9 muaj qëkur ky ligj ka hyrë në fuqi dhe nuk është marr asnjë veprim për të mundësuar votimin e diasporës sipas këtij ligji.

“Deri më tani nuk ka asnjë informatë e asnjë marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe vendeve ku e kemi diasporën tonë për të mundësuar votimin e qytetarëve të Kosovës në ambasada, ashtu siç thotë ligji”.

“Ligji i ri kërkon që të krijohet një kuti postare ku diaspora do të mund të votojë, dhe pastaj këto vota që do të paguheshin me 50 cent të shkonin në atë kuti që do të merrej e të ambalazhohej nga ambasada, dhe do të menaxhohej nga KQZ-ja, në mënyrë që vota e qytetarëve tanë të vijë në Kosovë”.

“Asnjë hap konkret për të mundësuar ndryshimin që ne e kemi kërkuar me këtë ligj për votimin në diasporë nuk ka ndodhur”.

“Për AAK-në, ky është një krim i cili po ndodh ndaj vëllezërve dhe motrave tona në diasporë me të vetmen arsye për shkak se Kurti e ka kuptuar që qytetarët tanë në diasporë e kanë kuptuar që kanë qenë të mashtruar dhe se e di që votat e besimi qytetar nuk është më për të dhe është kuptuar mashtrimi që ka ndodhur për këtë kategori të vëllezërve dhe motrave tona shumë të respektuara”, deklaroi Tahiri.

Para gazetarëve foli edhe deputetja Time Kadrijaj, duke u shprehur se për AAK-në kjo gjendje është shqetësuese sepse siç tha, Kurti e qeveria e tij me mashtrime ka marr votën popullore, diku mbi 90 mijë vota prej diasporës, duke i thënë që do t’i mbajë premtimet.

“Kurti e ka gënjyer diasporën, siç i ka gënjyer për kartonin e gjelbër duke i thënë se do ta hiqte, e tash kur vjen sezoni veror i sheh qytetarët tanë që renditen për pagesë të kartonit të gjelbër”, tha Kadrijaj.

Lini një Përgjigje