Takohen Thaçi e Haradinaj, bisedojnë për zhvillimet e fundit në veri

0
317
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj. 

Në këtë takim, siç njofton komunikata, është biseduar për shumë çështje politike dhe zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Presidenti dhe kryeministri, po ashtu, kanë folur edhe për përshpejtimin e procesit të liberalizmit të vizave.

Ishte konstatim i përbashkët se Kosova do t’i respektojë obligimet që ka marrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Gjithashtu, në këtë takim është biseduar edhe për funksionalizimin e Ekipit Menxhues për themelimin e Asociacionit në një të ardhme të afërt, gjithmonë sipas parimeve të Brukselit, Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Tonet kërcënuese nga Serbia nuk do të kenë asnjë efekt në Kosovë. Institucionet e Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumëtnike”, është thënë në këtë takim.