Tatimet dhe taksat doganore diktojnë projeksionet për buxhetin

Të hyrat nga tatimet dhe taksat përbëjnë shtyllën kryesore prej së cilës varet qëndrueshmëria financiare e një shteti, që njëherësh është burimi kryesor i mbushjes edhe të buxhetit të Kosovës. Bazuar në projeksionet aktuale, parashihet që buxheti i Kosovës për vitin 2020 të jetë 2.4 miliardë euro.

Institucionet përgjegjëse për mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve të ndryshme financiare janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

Këto dy institucione, sipas zyrtarëve të tyre, edhe gjatë këtij viti kanë treguar performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave për arkën e shtetit. Ata thonë se i kanë përmbushur projeksionet e Qeverisë së Kosovës për këtë vit.

Nga 2.3 miliardë euro sa është buxheti i këtij viti, nga zyrtarët e Qeverisë konsiderohet të jetë i realizueshëm, i qëndrueshëm dhe që ruan stabilitetin fiskal.

Parashikimet e Qeverisë, tashmë në largim, për Doganën e Kosovës janë që deri në fund të vitit të arrijë të grumbullojë 1.2 miliard euro. Drejtori i këtij institucioni, Bahri Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tani janë mbledhur 900 milionë euro. Ndërkaq, deri në fund të vitit Berisha thotë se do të përmbushet projeksioni i parashikuar nga Qeveria e Kosovës.

Për vitin 2020, Dogana e Kosovës, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022, parashihet të grumbullojë rreth 1.3 miliard euro.

Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës, thuhet se ka tejkaluar objektivat e planifikuara. Valentina Bytyçi- Sefa, zëdhënëse në këtë administratë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, kjo agjenci ka grumbulluar 372 milionë euro.

Projeksioni i ATK-së për këtë vit, thotë Bytyçi- Sefa, është mbledhja e 516 milionë eurove apo 16 për qind më shumë së plani i vitit të kaluar.