Taulant Balla: Gent Cakajn do ta kemi në Kabinetin Qeveritar, e meriton besimin tonë

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, jashtë ambienteve të Kuvendit u shpreh se opozita nuk mund ta marrë fjalën për debat pa bërë më parë mocion sipas rregullores.

Opozita braktisi sot seancën e jashtëzakonshme për votimin e ndryshimeve në qeveri, mes tensionesh pasi nuk pranua kërkesa për të folur.

Balla foli edhe për mosdekretimin e Gent Cakajt nga presidenti, duke u shprehur optimist se shumë shpejt do të jetë pjesë e kabinetit të ministrave.

“Në hapësirën mes dy sesioneve parlamentare dhe kryeministri e ushtroi këtë të drejtë kushtetuese për të mos humbur më kohë. Është shumë e rëndësishme në këtë kontekst dhe neve në vjen keq që Presidenti nuk na bëri të mundur votimin e dekretit të Ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, i cili meriton besimin tonë. Sapo Gjykata Kushtetuese të zgjidhi këtë ngërç të shkaktuar nga presidenti do kemi mundësinë ta kemi Gent Cakaj në kabinetin tonë. Ndaj edhe kryeministri propozoi të jetë ministër i jashtëm sa të zgjidhet ngërçi artificial”, u shpreh Balla.

Balla tha se opozita duhet të bëjë kërkesë sipas rregullores për interpelancë.

“U mundova t’i sqaroj kolegët dhe Ruçi kishte bërë një analizë të shkëlqyer. Praktika parlamentare kështu ka qenë, pasi behet fjalë për emërime dhe shkarkime. Unë e thash; jemi të gatshëm kurdoherë që nesër nëse opozita depoziton një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat. Pro duhet bërë me rregullore. Duan interpelancë me kryeministrin? Po, ta bëjnë në bazë të rregullores. Sot duhet të miratonin edhe dekretin për Ministrin e Jashtëm”, përfundoi Balla.