Të paktën 25 të vdekur nga zjarri në stacionin e trenit

Mediet shtetërore të Egjiptit kanë njoftuar se së paku 25 persona kanë vdekur dhe 50 janë lënduar pas përplasjes së një treni dhe shpërthimit të zjarrit në stacionin kryesor të trenit në Kajro.

Treni e goditi një pengesë në fund të një platforme të ngarkuar në stacionin “Ramses”, i cili ndodhet në qendër të qytetit.

Përplajsa e trenit e shkaktoi shpërthimin e rezervuarit të naftës së trenit, duke bërë që flakët të përhapeshin në platformën e stacionit dhe disa objekte rreth saj.

Shkaktari i zjarrit nuk dihet ende, por Ministri i Transportit, Hisham Arafat, ka dhënë menjëherë dorëheqje.

Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, Kryeministri Mostafa Madbouli u zotua se do të ndëshkohen të gjithë ata që janë treguar të papërgjegjshëm në këtë rast. “Ne do t’i gjejmë personat përgjegjës dhe ata do të japin llogari”, ka thënë ai.

Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe premtoi që personat e plagosur do ta marrin mbështetjen e nevojshme.

“E kam parë një burrë që ndodhej në lokomotivë që thoshte se trenit nuk po i punojnë frenat. Më pas, ai kërceu nga lokomotiva”, tha Ibrahim Hussein, i cili ishte dëshmitar në vendin e ngjarjes.

Sistemi hekurudhor i Egjiptit ka nivel të ulët të sigurisë për shkak të mungesës së investimeve dhe menaxhimit të dobët.

Në gusht të vitit 2017, 43 njerëz kishin vdekur dhe më shumë se 100 ishin lënduar kur dy trena ishin përplasur mes vete afër Aleksandrisë, shkruan “BBC”.