TË RRËZOHEN KËTO 3 PIKA TË AKTAKUZËS – QË TË EVITOHET DËNIMI I 4 TË AKUZUARVE (POR JO VETËM I TYRE)

Shkruan: Shukri Klinaku

Aktakuza që rëndon Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin shquhet nga një formulim amator, perfid dhe me të pa vërteta historike. Vetëkuptohet se mbrojtja sulmin kryesor do ta përqendrojë në pretendimin e aktakuzës mbi ekzistencën e “NPK-së”. Përveç angazhimit profesional të mbrojtjes dhe të vet të akuzuarve në atakimin e shumë pikave të aktakuzës, sipas bindjes sime janë 3 pika kryesore të saj të cilat duhet të kundërshtohen në HYRJE të procesit. Nëse fitohet beteja në këto 3 pika – evitohet dënimi i 4 të akuzuarve dhe jo vetëm i tyre.

1. Organogrami i pretenduar i organizimit të luftës në Kosovë (1998-1999) – Në hyrje të aktakuzës, ideatori i saj e ka rrëfyer historikun e Kosovës së viteve 1989-1999 në atë mënyrë që të arsyetoj pretendimin se organogrami i organizimit të luftës sonë duket kështu: ”NPK-ja” është në maje, e cila ka pasur veglat e veta operative që i kishte krijuar vet e që ishin UÇK-ja dhe QPK-ja! Pastaj përgjatë tërë aktakuzës pretendohet se në tërë territorin e Kosovës ka qeverisur “NPK-ja” me këto dy veglat e veta. Por historiku i organizimit të luftës është krejt ndryshe. Mbrojtja duhet ta përvijojë historinë e vërtetë në hollësi, por argumenti kryesor i kësaj historie është ky: në Kosovë kishte kohë që disa organizma përpiqeshin për organizimin luftarak të Kosovës; në shkurt dhe mars të vitit 1998, pushteti serb bëri llogarinë që t’i heshtë përgjithmonë pushkët e shqiptarëve që jehonin më së shumti (ato të Jasharëve të Prekazit), e me këtë të tmerrojë organizmat luftarakë dhe gjithë popullin ta paqësoj për disa dekada (sikur kishte bërë disa herë gjatë historisë). Mirëpo, kësaj radhe doli krejt e kundërta e llogarisë së pushtetit serb – organizmat luftarakë të Kosovës (brenda dhe jashtë saj) morën krah dhe populli i Kosovës tmerrin e ktheu në qëndresë dhe në përkrahje pikërisht të këtyre organizmave. Kjo bëri që me emrin UÇK të identifikohej çdo rezistencë anë-e-kënd Kosovës. Rritja e vrullshme e kësaj rezistence tregon se “NPK-ja” ka qenë në pamundësi të plotë që të kontrolloj gjithë atë lum njerëzish që ishin të gatshëm të bëjnë diçka për lirinë e Kosovës.

2. Termat “katolik”, “LDK”, “rom”, “serb” të eliminohen nga aktakuza si cilësor të “viktimave” të pretenduara – Po aq sa është e pa vërtetë se UÇK-ja ka “ndjekur” katolikët – është i pa vërtetë edhe pretendimi se UÇK-ja ka “ndjekur” anëtarët e LDK-së. Mijëra argumente për këtë janë të gjalla edhe sot. Madje, argumenti më i mirë është në vet aktakuzën ku përshkruhen “viktimat” si “bashkëpunëtorë të pushtetit serb”. Pra, mbrojtja duhet me argumente të kërkojë qysh në fazën HYRËSE të procesit që termat “katolik”, “LDK”, “rom”, “serb” të eliminohen nga aktakuza si cilësor i viktimave të supozuara – pa nënkuptuar si të pranuar pretendimin e akuzës për rastin e “viktimizimit” rast për rast. Me këtë tregohet se UÇK-ja ka pasur vetëm një shënjestër – pushtuesin serb dhe levat e tij. Largimi i këtyre termeve nga aktakuza është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e 4 të akuzuarve, për historinë e UÇK-së, për historinë e LDK-së, për historinë e Kosovës dhe sidomos për aktualitetin e Kosovës.

3. “Periudha e aktakuzës” dhe QPK-ja – mbrojtja duhet të ngulmojë që të ndryshohet “periudha e aktakuzës” dhe nga aktakuza të eliminohet QPK-ja. E para, ideatori i aktakuzës me qëllim të justifikimit të pretendimeve mbi ekzistencën e “NPK-së” të motivuar kundër “katolikëve”, “LDK-së”, “romëve” dhe “serbëve” edhe pas përfundimit të luftës – e shtrinë pa argumente “periudhën e aktakuzës” (do të thotë “veprimtarinë e NPK-së”) edhe 3 muaj pas përfundimit të luftës. Mbrojtja me argumente që janë të bollshme duhet të dallojë periudhën e luftës nga periudha pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë. Kjo për arsye se motivet e keqbërësve eventualë në Kosovë ndërrojnë rrënjësisht pas hyrjes së KFOR-it dhe këta keqbërës eventualë pas 12 qershorit 1999 nuk mund të lidhen me misionin e UÇK-së, pa marrë parasysh emrin e tyre, apo çfarëdo përkatësie të mëparshme të tyre. E dyta, ideatori i aktakuzës e ka futur në mënyrë perfide QPK-në për të justifikuar pretendimin se ka ngritur aktakuzë kundër “kryeministrit dhe ministrave të Kosovës së vitit 1999”, pra për të justifikuar pretendimet se “NPK-ja” ka qeverisur me një organizëm shtetëror. E vërteta është krejt ndryshe. QPK-ja de fakto ka filluar të “funksionojë” vetëm disa ditë pas datës 12 qershor 1999, pra pas përfundimit të misionit të UÇK-së.

Lini një Përgjigje