Të shtëna me armë në Vlorë, një i plagosur

0
291

Një atentat është shënuar në qytetin e Vlorës, ku një person ka mbetur i plagosur. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton nga vendi i ngjarjes, se atentati ndodh në ambientet e një lokali në zonën e shëtitores së Lungomares.

Ka pasur katër të shtëna me armë zjarri, ku për pasojë një person, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ka mbetur i plagosur. Mësohet se ai është jashtë rrezikut pasi ka marrë vetëm një plumb në këmbë.

Sipas informacioneve paraprake, disa persona kanë qenë në një lokal, kur pranë tyre kanë mbërritur të tjerë persona dhe kanq qëlluar me armë. Autorët janë larguar me një automjet dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë.

Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë i autorëve të atentatit.

Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, pritet të japë detaje mbi këtë ngjarje të fundit.

Në shëtitoren mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Vlorës, është përhapur panik, ndërsa mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët policinë e Vlorës pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Bizneset në këtë zonë kryesisht janë të pajisur me kamera sigurie dhe pritet të shihet nëse në filmime do të jenë pikasur autorët e kësaj ngjarje./shqiptarja.com