Të (vet)abuzuarit

Shkruan: Dritan Dragusha
Abuzimi masiv për gjithë këto vite të pas pavarësisë që është duke ndodhur me shtetin, është abuzim me secilin nga ne. Megjithëse, aktualisht ma ha mendja se ne jemi në një vetabuzim permanent kolektiv

Sot të provosh të bësh debat ose së paku të ngrehsh pyetje që orientojnë kah një debat i mirëfilltë është pothuajse sikur të dëshirosh ta mbulosh diellin me shoshë. Të gjithë flasim, e asnjëri nuk dëgjojmë. Secilin e thërrasim në përgjegjësi tjetrin, por vetë eskivojmë që në çastin e parë. E gjithë kjo e shpërfaq mentalitetin e shoqërisë sonë, e cila është e kapërthyer në një sado-mazohizëm të llojit të vet. Përgjegjësia si kategori e karakterit njerëzor siç duket nuk banon më në këtë Republikë. Secili e përjetojmë veten si njerëz me peshë në këtë shoqëri, ani pse pesha e jonë reale është analoge me peshën e një milingone. Standardet i kemi vendosur në shpërputhje me atë çfarë realisht jemi. Përgjithësisht oscilojmë në mes të nacionalizmit, socializmit, të djathtës ekstreme apo fashizmit, por dhe religjionit – të cilin na e paraqesin si shpëtim nga rrënimi i mëtutjeshëm moral. Domethënë një shpërfytyrim i llojit të vet. Këto shprehje në psikanalizë konsiderohet skizofreni. Prandaj, në një formë të tillë edhe shoqëria jonë mund të konsiderohet si shoqëri skizofrnike. Shto kësaj edhe faktin se duke jetuar me një krizë të theksuar të identitetit, e gjithë kjo kulmon në një paranojë kolektive. Mbase, kjo vjen si rezultat i injorancës sonë, e cila mbështillet me doza të theksuar të megalomanisë.

Duke pas një qasje kaq destruktive në raport me detyrën që na është deleguar, me njëri-tjetrin dhe në fund në raport me shtetin, nuk është për t’u çuditur se si abuzojmë i madh e i vogël që në mundësinë e parë. Aq të dehur nga pushteti dhe pas pushtetit janë klasa politike (jo vetëm klasa politike), sa që janë në gjendje që ta rrënojnë çdo gjë që është krijuar me aq sakrificë deri më tani. Kontestimi i çdo gjëje ka sjellë një situatën të kontaminimit në komunikim të ndërsjellë. Komunikimi ynë publik nuk e plotëson as kriterin minimal. Kjo paralizë mendore po e sjell paralizimin e shtetit. Sot shteti perceptohet në tri variante: e para – si një mundësi për t’u pasuruar paligjshëm, kurse varianti i dytë – që ky shtet duhet t’i bëhet attachment dikujt tjetër (mbase këta të dytët një nga argumentet që përdorin për zhbërjen e shtetit, e kanë këtë zhvatjen që e bëjnë këta të variantit të parë). Kurse varianti i tretë, i përket atij religjioz, që si synim ka të na kthejë në rrugën e Zotit, rrugë kjo që vjen nga Lindja. Pra, të tri këto narracione kanë një të përbashkët, rrënimin e Republikës së Kosovës. Një ligjërim i tillë i përket atyre strukturave ideologjike që si mjet subverziv të ndikimit në shoqëri e kanë manipulimin, pra, dhunën. Krejt kjo e kapërthen konstruktin social në një ngërç mental dhe përveç që krijon oaza të kontaminuara mendore, po ashtu krijon edhe apati ndaj çdo gjëje. Dhe kjo klasë politike (sidomos) që pas bërjes shtet, është ndër më meritoret që ka arritur që të implantojë elementin më të keq që mund t’i ndodh një shoqërie, apatinë. Abuzim me shtetin, abuzim me çdo institucion, me çdo vlerë, rrënim i mundësisë së mirëbesimit, defunksionalizim i demokracisë, e që pastaj u hapi rrugë oligarkive, e të cilët pastaj përmes lidhjes me pushtetin politik kanë krijuar pushtetin e fuqishëm të parasë, duke se e kanë shndërruar shoqërinë në një klientelë kronike. Krejt kjo ta lë përshtypjen se kemi përfunduar në qenie ku apati është bërë pjesë inherente jona. Kështu që, në pamundësi për të gjetur një fije shprese se e ardhmja do të jetë më e mirë, secilit individ me një fije dinjitet është bindur se duhet ikur nga ky shtet ku udhëheqin përbindëshat e parasë.

Pra, vizioni i kësaj klase politike nuk e kapërcen xhepin e tyre. Ata siç duket nuk mendojnë me kokë, por me xhep. Gjithçka dhe çdo gjë sillet rreth xhepave të tyre. Ta krijojnë përshtypjen se ky shtet është krijuar si një bankë që duhet të përkujdeset vetëm për luksin e tyre, pa e vrarë mendjen se shteti, Republika e Kosovës, është e sidomos për këtë klasë politike do të duhej të paraqiste diçka përtej tyre, përtej interesave meskine. Disrespekti i krijuar tek shoqëria (e cila në këtë pikë nuk është e padjallëzuar), ka rritur mundësinë që në një periudhë jo të largët shteti edhe mund të bie në një kolaps. Të gjitha predispozitat dërgojnë drejt një kolapsi. Çdoherë kur ka depresion shoqëror, nëse nuk merren masa për ta përmirësuar gjendjen, pason kolapsi institucional, e që pastaj përfundon në një kolaps edhe të vet shtetit. Se a do të përfundojmë deri në këtë pikë ose jo, këtë nuk mund ta dimë, por se a jemi duke vrapuar drejtë një theqafje kolektive këtë s’mund ta mohojmë. Ta lësh në ndërgjegjen e një individi apo një grupi të caktuar që ata të na shpëtojnë nga kjo katrahurë është rrisk i madh, sepse që në rastin e parë ata do të abuzojnë me shtetin në emër të shpëtimit tonë.

Andaj, në pamundësi që politikanët ta trasojnë rrugën e një shteti të mirëfilltë, pra, të një shteti ku përgjegjësia bëhet virtyt, kurse ligji që mundëson sigurinë dhe mirëqenien tonë, gjëja e parë që duhet të kërkojmë është që ne si qytetar, si votues t’i kthehemi vetvetes. T’i kthehemi gabimeve që i kemi bërë vazhdimisht deri më sot. Mos të bëhemi bashkëfajtor (siç kemi qenë deri më tani) përmes (mos)veprimit tonë. Të mos vuajmë për shkak se në një moment na rrëmbyen emocionet apo një premtim bosh, sepse vota për këta politikan kleptokrat, për ne do të prodhojë vetëm boshllëk. Po ashtu, të mësohemi ta kërkojmë të drejtën tonë, sepse shteti është i të gjithë atyre që jetojnë në të dhe ne të gjithë duhet të brengosemi kur dikush abuzon me të. Abuzimi masiv për gjithë këto vite të pas pavarësisë që është duke ndodhur me shtetin, është abuzim me secilin nga ne. Megjithëse, aktualisht ma ha mendja se ne jemi në një vetabuzim permanent kolektiv.