Telekomi me sytë nga Prokuroria dhe Qeveria: Rrezikojmë falimentimin

Telekomi i Kosovës përmes një komunikate për media thotë se atë mund ta shpëtojë vetëm Prokuroria e Shtetit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, pasi me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 6 korrik u refuzua prapësimi i debitorit Telekomi i Kosovës dhe u kalua në fuqi te përmbaruesi privat urdhri përmbarimor për shumën e obligimit financiar prej rreth 24.6 milionë euro ndaj Dardafon.net.

Me këtë vendim të procedurës së përshpejtuar përmbarimore, Telekomi thotë se tashmë rrezikon falimentimin.

“Pasojat e këtij përmbarimi të përshpejtuar, përveç se do të jenë të karakterit social dhe ekonomik, do të jenë edhe të karakterit politik, nacional dhe legal, pasi që e gjithë kjo rrezikon të shpërthejë si afera më e madhe korruptive në gjithë historinë e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Telekomit.

Reagimi i plotë i Telekomit të Kosovës:

Me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës. 6.07.2020 u refuzua prapësimi i debitorit Telekomi i Kosovës dhe u kalua në fuqi te përmbaruesi privat urdhëri përmbarimor për shumën e obligimit financiar prej rreth 24.6 Milionë Euro.

Me këtë vendim të procedurës së përshpejtuar përmbarimore, të pa peshuar dhe vlerësuar sa duhet, Telekomi i Kosovës po kërcënohet me falimentim. Edhe pse ekzistojnë mundësi ankimimi në Gjykatën e Apelit, e njëjta nuk e prolongon medoemos ekzekutimin e urdhrit përmbarimor.

Kompania Dardafon.net u themelua në Nëntor 2008 dhe vetëm dy muaj më pas, më 16 janar 2009, nënshkruan me Telekomin e Kosovës (atëherë PTK) marrëveshjen e mbështetjes së operatorit të rrjetit mobil virtual. Z-Mobile duke shfrytëzuar ndër vite rrjetin e PTK, duke marrë favore në ndarjen e të hyrave në raportin 73%:27%, duke shitur produktet e Telekomit të Kosovës nën çmim, ka konkurruar në mënyrë jo të rregullt jo vetëm PTK-në por edhe operatorët e tjerë. Qoftë për shkak të kushteve të pafavorshme në kontratë, qoftë për shkak të kamatave enorme, borxheve të fryra e të paqena, të krijuara përmes një procesi krejtësisht të dyshimtë e të mjegullt, të cilin duhet hetuar me kujdes, Telekomi i Kosovës u soll në një situatë kur një kompani virtuale e cila operoi me paratë e Telekomit të Kosovës tani po pretendon ta falimentojë atë. Nga raportet e hartuara të ekspertëve të brendshëm të kompanisë si dhe të atyre të jashtëm është bërë vlerësimi që humbjet reale të Telekomit të Kosovës, nga kjo kontratë dalin të jenë qindra milionëshe.

Pasojat e këtij përmbarimi të përshpejtuar, përveç se do të jenë të karakterit social dhe ekonomik, do të jenë edhe të karakterit politik, nacional dhe legal, pasi që e gjithë kjo rrezikon të shpërthejë si afera më e madhe korruptive në gjithë historinë e Republikës së Kosovës. Tashmë, pengimi i “gëlltitjes” së Telekomit të Kosovës, varet nga ndërhyrja e shtetit për të ndalur dhe anuluar përmbylljen e suksesshme të këtij procesi të dyshuar publikisht si korruptiv. Ky proces kishte filluar dhe ishte realizuar me vullnetin e individëve influencues politik dhe të bordeve politike të PTK/Telekomit të Kosovës që synonin zhvlerësimin e Telekomit të Kosovës dhe shitjen e tij me çdo kusht, apo përfitimin nëpërmjet të aksioneve të korporatës.

E vetmja forcë e cila ende mundet dhe duhet të merret me ruajtjen e Telekomit të Kosovës si aset nacional ka mbetur Qeveria e vendit, e cila e ka për obligim ligjor e kushtetues që të kontestojë gjithë procesin e grabitjes së Telekomit të Kosovës dhe si përfundim të anuloj atë, duke ia kthyer publikut atë që i takon.

Rrjedhimisht fati i kompanisë dikur më të suksesshme në vend e në rajon, e cila aksionarit i dha dividendë qindra milionëshe, tani është në dorën e Prokurorisë së shtetit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Prandaj, ftojmë Prokurorinë e Shtetit të ndërmarrë hapat dhe veprimet emergjente për të ndaluar procesin e shkatërrimit të qëllimshëm të këtij aseti nacional, që prek edhe në themelet e sigurisë së vendit. Vazhdimësia e ofrimit të shërbimeve për institucionet e shtetit dhe publikun, zinxhiri funksional ekonomik në relacion me bizneset kontraktuese dhe siguria e mirëqenies së punëtorëve është obligim kushtetues dhe duhet të mbrohet nga drejtësia e shtetit e jo të cenohet dhe lihet në mëshirën e oligarkëve.

Disa kallëzime penale të cilat Telekomi i Kosovës i ka iniciuar në prokurori, indikojnë prova të mjaftueshme se kontrata e vitit 2009 (dhe veprimet para nënshkrimit te saj) me Dardafon.net përmbajnë elemente të veprës penale, të cilat duhet të ndiqen sipas detyrës zyrtare. Ekzekutimi i këtij përmbarimi duhet të prolongohet derisa të përfundojnë të gjitha proceset legale të iniciuara nga Telekomi i Kosovës e që ndërlidhen me raportin komercial të TK me Dardafon.net. Korporata është duke e rishqyrtuar mundësinë e ligjshmërisë së vendimeve duke e ngritur ne vëmendje të prokurorit çështjen në fjalë.

Telekomi i Kosovës ka kapacitete njerëzore, profesionale dhe ka vullnet të fuqishëm për të shërbyer konsumatorët e vet dhe për të krijuar sërish dividendë të fuqishme për aksionarin. Edhe sot, përkundrejt të gjitha destruksioneve në drejtim të saj, mbetet ofruesi më i besueshëm dhe më i preferuar i qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj meriton të mbrohet, të konsolidohet dhe të fuqizohet.

Drejtuesit dhe punonjësit e Telekomit të Kosovës, edhe më tutje mbesin në besim se Qeveria e Republikës së Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e tjera shtetërore nuk do të lejojnë që të ndodhë falimentimi i kësaj kompanie. Bëjmë thirrje publike që në procesin e konsolidimit dhe ristrukturimit të kemi mbështetjen e plotë dhe ndihmën e pakursyer të aksionarit dhe institucioneve relevante të shtetit.

Lini një Përgjigje