Televizioni sportiv: Kosova, brenda katër vjetëve, nga joekzistente në prag të kualifikimit në EURO

Televizioni i madh sportiv i Australisë, Optus Sport, e ka publikuar një artikull për ekipin kombëtar të Kosovës para ndeshjes kundër Anglisë, duke e theksuar zhvillimin e shpejtë të futbollit kosovar brenda pak viteve.

Para katër vjetëve, Kosova nuk kishte as ekip kombëtar. Tani ata janë të pamposhtur që 15 ndeshje dhe do të përballen më Anglinë me synimin për të qenë liderë të grupit kualifikues të EURO 2020. Kjo është historia e tyre, shkruan Optus Sport, transmeton Gazeta Express.

“Kosova, në Kampionat Evropian? Pas katër vjetëve, kjo është e mrekullueshme. Por, nuk është një ëndërr e pamundur”, kishte thënë trajneri i Kosovës, Bernard Challandes për Optus Sport më herët këtë vit.

Pas gjysmës së fazës kualifikuese për EURO 2020, kjo ëndërr jo vetëm që është ngjallur, por edhe është në prag të shndërrimit në realitet. Para ndeshjes kundër gjigantes, Anglisë, në “St. Mary’s”, skuadra e Challandes radhitet e dyta në Grupin A, ende e pamposhtur pas katër ndeshjeve të para në histori kualifikuese për Evropian.

Para tre muajve, ata kurrë s’e kishin fituar një ndeshje kualifikuese për çfarëdo turneu, por tani janë në ecuri të 15 ndeshjeve pa disfatë dhe i kanë dy fitore radhazi. Kjo ka bërë që të jenë në prag të pjesëmarrjes për herë të parë në histori në një turne të madh.

“Ai regjion ka prodhuar futbollistë të mrekullueshëm”, tha trajneri i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate, para ndeshjes.

“Ata e kanë pasionin që vjen me një vend relativisht të ri dhe krenarinë që e sjellin vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar. Por, si skuadër, ata i kanë disa lojtarë shumë të mirë dhe ne jemi pa asnjë dyshim të përgatitur mirë për këtë ndeshje”.

Vetëm para tre vjetëve, Kosova nuk e kishte zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare futbolli. Vendi i dytë më i ri në botë u bë anëtar i UEFA-s dhe FIFA-s vetëm në vitin 2016 – një njohje për të cilën ishte punuar më shumë se një dekadë.

“Në fillim të viteve të 90-ta, çdo aktivitet futbolli i lidhur me shqiptarët dhe Kosovën u ndal së ekzistuari”, kishte thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Pasi që regjimi jugosllav në atë kohë na kishte përjashtuar nga garat dhe nga të gjitha stadiumet në Kosovë, gjithçka bëhej në baza vullnetare. Futbollistët luanin falas, të gjithë njerëzit përfshiheshin në procesin organizativ. Liderët e klubeve i jepnin paratë e veta, gjithçka vetëm për të organizuar gara. Kjo zgjati deri në pavarësimin e Kosovës”.

“Tani, ne i kemi ndërtuar dy stadiume që i përmbushin kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare”.

Ekzistenca është diçka, triumfi është diçka tjetër. Kosova e zgjati ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 me fitoren mbresëlënëse 2:1 kundër Republikës Çeke dhe e zuri vendin e dytë në grupin kualifikues për EURO, duke e vazhduar formën e mirë që kur fitoi status zyrtar.

Golat nga Vedat Muriqi i Fenerbahces dhe Mërgim Vojvoda i Standard Liege e karakterizojnë cilësinë e skuadrës së tyre. Pothuajse i gjithë grupi i tyre luanë në skuadra evropiane, si mesfushori i Lazios, Valon Berisha, dy-herë fitues i çmimit të vendit “Lojtari më i mirë i Vitit”.

I lindur në Suedi dhe pasi bëri paraqitje për Kombëtaren e Norvegjisë, ai është njëri ndër futbollistët që e ndërruan ekipin kombëtar për ta përfaqësuar vendin e paraardhësve të vet. Për shembull, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, që do të kishin mundur të luanin për Kosovën, kishin bërë paraqitje me Zvicrën para se Kosova të ekzistonte si Kombëtare zyrtare.

“Mendoj se ishte mundësia për të ardhur të luaj për Kosovën si vendlindjen time, duke i ndihmuar një vendi të vogël, duke bërë hapa të mëdhenj në futboll. E kam menduar këtë si mundësi për ta dëshmuar veten dhe ta bëj një hap përpara dhe ta dëshmoj se sa e dua vendin tim dhe se dua të bëj gjithçka për ta”, shtoi Berisha.

Në të vërtetë, pjesa më e madhe e skuadrës aktuale kishin qenë refugjatë, mirëpo vetëm portieri i tretë, Visar Bekaj, luan edhe për klub kosovar, përderisa të tjerët luajnë në vendet e tjera evropiane.

Futbollisti ka qenë gjithmonë krenari kombëtare në Kosovë, mirëpo lufta civile në regjion e kishte ngulfatur vendin për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit, kur gjenerata të futbollistëve me shumë potencial e humbën mundësinë e tyre në këtë sport.

“Është fakt se Kosova ka pasur gjithmonë futbollistë të famshëm dhe të talentuar, si Luan Prekazi dhe i ndjeri Fadil Vokrri, por edhe të tjerë. Ka pasur shumë dashuri për këtë sport. Megjithatë, lufta bëri që një gjeneratë e plotë e atletëve të talentuar të harxhoheshin kot. Është një mëkat i madh”, tha Xhevdat Peci, ish-kampion i boksit në Jugosllavi.

Vokrri – i cili kishte luajtur për Partizanin e Beogradit, Nimesin dhe Fenerbahcen në mes të klubeve të tjerë gjatë karrierës 15-vjeçare – konsiderohet futbollisti më i mirë që vendi e ka pasur në histori. Ai ishte edhe president i Federatës që nga viti 2008 dhe punoi aty deri në qershor të vitit 2018, kur vdiq. Stadiumi i skuadrës, kur Kosova e mposhti Çekinë, e mban emrin e tij.

Ai kurrë nuk do ta kishte imagjinuar se vendi i tij do të ishte duke luajtur për vendin e parë në grupin kualifikues për EURO 2020 kundër Anglisë sonte.

“Ne jemi një Federatë e re – kurrë nuk kemi luajtur kundër një kundërshtari të tillë. Për mua, si trajner, nuk është e lehtë ta vlerësosh këtë ndeshje. Nëse unë them se duam të fitojmë, njerëzit thonë se po e bëj këtë për t’u dukur. Nëse them se është e pamundur të fitojmë kundër Anglisë, duhet ta ndryshoj profesionin”, tha Challandes.

Pavarësisht rezultatit nga grupi kualifikues, suksesi i Kosovës në Ligën e Kombeve – ku e fituan grupin e tyre – ua jep kosovarëve edhe një mundësi të dytë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian, përmes play-offs.

Të bashkuar nga e kaluara e vështirë dhe të etur për ta shkruar një faqe të re në histori, “Dardanët” do të jenë kundërshtarë të vështirë për cilëndo skuadër.

Lini një Përgjigje