Tërmkolli e LDK’së thirrje Albin Kurtit: “ujstati” pak “fillozofat”

Melihate Tërmkolli i është kundërpërgjigjur anëtarit të VV-së, Hysamedin Feraj, i cili kritikoi kolegun e saj në qeveri, Avdullah Hoti.

Ish deputetja e LDK-së, i ka kërkuar shefit të Ferajt në parti, Albin Kurti, që t’i ndalë, siq ka thënë ajo, filozofat.

Më poshtë e keni statusin e plotë të Tërmkollit:

Albin, “ujstati” pak “fillozofat”!

Hysamedin Feraj, “fillozof” e “historian” , atdhetar i devotshëm aq sa edhe Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, heroin kombëtar të shqiptarëve e bëri “tradhtar”, “masakrues të shqiptarëve”, sot edhe njëherë paska shpërfaqur tërë përmasat e ideologjisë komuniste të mishëruar në kryeministrin e tij, Edi Rama dhe përderisa flet në këtë mënyrë si përfaqësues i një partie që “kontrollohet” rreptësisht nga Albin Kurti, edhe në të.

Ky historiani e paska shpallë SHBA-në armike të shqiptarëve dhe të Kosovës, të lirisë e pavarësisë së saj. Sipas tij, ambasadori amerikan, z. Grenell qenka mik i Serbisë dhe përfaqësues i interesave të saj, për më tepër qenka për kthimin e Serbisë në Kosovë e rrjedhimisht në këtë linjë qenka edhe zv. Kryeministri Hoti.

Sa të mjerë e frikacakë! Gjithnjë duan të fshehen pas dikujt. Dhe në këtë mes, gjithmonë ka një fajtor kujdestar, për gjithçka që ndodhë në këtë vend: Ibrahim Rugova dhe LDK-ja. Nuk janë madje as të vetëdijshëm se në këtë rast si edhe shumë herë tjera, fajësimi është bekimi më i madh që i bëhet LDK-së si garantuese e interesave të vendit dhe marrëdhënieve të fuqishme me SHBA- në dhe të gjitha vendet perëndimore si faktor vendimtar i çlirimit, lirisë e pavarësisë së Kosovës, e tani edhe i zhvillimit dhe ruajtjes së sovranitetit të saj. Shqiptarët e duan perëndimin, e duan Amerikën. Janë në gishta të dorës ata që ende e mbajnë kokën nga Serbia e Rusia. Qëllon të jetë edhe ndonjë “historian” a “fillozof”.

Përndryshe, kjo tashmë nuk është lojë. Këto deklarata e shkrime, derisa VV është në pushtet dhe ka kryeministrin, duan përgjigje. Albin Kurti, si kryeministër, urgjentisht duhet të shpjegohet rreth tyre dhe pak më shumë!.