Thaçi gjatë takimit me Grenell: Shpresoj që takimi Kosovë-Serbi do të ndodhë shpejt

Pas përfundimit të takimit më emisarin special të Presidentit të SHBA’së për dialogun, Zyra e presidentit Hashim Thaçi ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën thuhet se Richard Grenell ka shprehur pritjet e tij që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rifillojë së shpejti dhe të gjendet një zgjidhje finale.

Sipas Grenell arritja e një marrëveshje do të kishte impakt pozitiv për zhvillimin e gjithë rajonit.

Ndërkohë Thaçi ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjidhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Pas takimit ndërkohë ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ka qenë i pranishëm në këtë takim Thaçi-Grenell.

Kosnet ka thënë se Përfaqësuesi Special i Trump për dialogun mezi pret të punojë me krerët e shtetit për të ndihmuar arritjen e paqes dhe prosperitetit në Kosovë.

“I dërguari special i Presidentit Trump, Richard Grenell mezi pret të punojë me Presidentin Thaçi dhe liderët tjerë të Kosovës për të ndihmuar në arritjen e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Kosnett në twitter.