Thaçi: Haradinaj hoqi dorë nga konferenca ndërkombëtare për Kosovën pasi e këshillova unë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, derisa ka folur në Samitin e Diasporës në Shqipëri, ku ka thënë se është kundër ndarjes e shkëmbimit të territoreve por pro korrigjimit të kufijve, është kujdesur që të godas edhe kundërshtarin më të madh të idesë për korrigjim të kufijve, Ramush Haradinajn, duke thënë se ideja e tij për Konferencë Ndërkombëtare, do t’i mundësonte Rusisë që të participonte.
Sipas tij Haradinaj tashmë ka hequr dorë nga një ide të tillë, pas këshillave që i ka dhënë vetë Thaçi.
“Sot natyrisht se ka ide të ndryshme. Nuk do të lejojmë organizimin e  ndonjë konference ndërkombëtare ku participon edhe Rusia. Kosova pariticipon vetëm në procese ku janë BE-ja dhe SHBA-të. Edhe për propozuesit për konferencë ndërkombëtarë e kemi këshilluar të heq dorë, dhe ka hequr dorë”, ka shtuar ai.
Thaçi gjithashtu ka kundërshtuar idenë për krijimin e një ‘Unioni Ballkanik’
“Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të lejojmë edhe ma tutje me qarkullua si ide në Union Ballkanik Një ide e tillë është cenim i kombit tonë. Ideja për union Ballkanik është kthim mbrapa. Unioni për Kosovën është BE-ja, NATO dhe SHBA-të. Këto ide nuk janë në interes të kombit”, shton ai.
Thaçi gjithashtu ka thënë se nuk do të lejohet që për interesa të ngushta politike të prishen raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Duhet të punojmë së bashku me SHBA-në. Me asnjë çmim, nuk do të lejojmë që asnjë broçkull e politikës ditore elektorale të cenoj raportin e  posaçëm dhe të përhershëm me hisedarët e pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.