Thaçi kritikon Serbinë pas ndalimit të artistëve në kufi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se me shqetësim po i përcjell pengesat që autoritetet e Serbisë po ua bëjnë artistëve dhe të rinjve nga Kosova që janë nisur për të marrë pjesë në ekspozitën “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd.

Sipas tij, pengesat e policisë serbe dhe të autoriteteve të qytetit të Beogradit kanë vënë në pikëpyetje organizmin e kësaj ngjarjeje kulturore.

“Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim.

Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte europiane në mes vendeve të rajonit”, shkruan ai.

Kjo, sipas tij, bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Europës Juglindore nuk kanë të ardhme europiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore.