Thaçi: Masakra e Dubravës, shembull i planit të spastrimit etnik të Millosheviqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi sot se masakra e Dubravës është shembulli më tipik se deri në çfarë niveli çnjerëzor shteti serb i Millosheviqit zbatoi planin e spastrimit etnik.

Kreu i shtetit theksoi se edhe sot e kësaj dite ende nuk dolën para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare autorët e krimeve.

Postimi i Thaçit:

Këto ditë po përkujtohet masakra e kryer në burgun e Dubravës, ku para 21 viteve forcat policore dhe ushtarake serbe vranë disa ditë me radhë të burgosurit shqiptarë duarlidhur.

Masakra e Dubravës është shembulli më tipik se deri në çfarë niveli çnjerëzor shteti serb i Millosheviqit zbatoi doktrinën e tokës së djegur në Kosovë, planin e spastrimit etnik, masakrat kudo nëpër Kosovë, dhunimet, vrasjen e fëmijëve dhe dëbimin e më shumë se gjysmës së popullatës shqiptare.

Edhe sot e kësaj dite ende nuk dolën para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare autorët e krimeve. HTH