Thaçi: Nuk kemi kohë për të humbur

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në takimin me liderët e koalicionit qeverisës dhe ambasadorin amerikan, Philip Kossnet, ka biseduar për çështjet e rëndësishme si ruajtja e partneritetit me SHBA-në dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Thaçi ka theksuar se në ditët në vijim pret vendimmarrje të përgjegjshme në përputhje me interesat shtetërore.

Sipas tij, interesi shtetëror duhet të bëjë bashkë gjithë spektrin politik për të marrë vendime të rëndësishme.

Postimi i plotë i Thaçit:

Sot, në prezencë të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, kam zhvilluar takime të përbashkëta me liderët institucionalë, me kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli. Në këto takime kemi biseduar për çështje të rëndësishme shtetërore, për ruajtjen e partneritetit të përjetshëm me SHBA-në dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Interesi shtetëror duhet të bëjë bashkë gjithë spektrin politik, për të marrë vendime të rëndësishme për perspektivën e qytetarëve dhe për të ardhmen tonë euroatlantike, në përputhje me interesat e SHBA-së dhe partnerëve strategjikë të Kosovës. Prandaj, në ditët në vijim, pres vendimmarrje të përgjegjshme në përputhje të plotë me interesat shtetërore. Nuk kemi kohë për të humbur.

Lini një Përgjigje