Thaçi për korrigjimin e kufirit: Hartat nuk janë hedhur në tavolinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në SHBA, në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë ka folur për idenë e një korrigjimi të lehtë të kufirit me Serbinë.
Në një Intervistë për Zërin e Amerikës një ditë pas, Thaçi ka thënë se Kosova një proces të tillë e kryer edhe me vendet tjera fqinje.
“Korrigjim të kufirit Kosova ka bërë edhe me shtetin e Maqedonisë, unë e kam nënshkruar. Korrigjim të kufirit ka bërë edhe me Malin e Zi, unë e kam nënshkruar. Ka pasur trazira, ka pasur probleme, gaz lotsjellës, ka pasur demonstrime, dërgime të mesazheve jo të mira për shtetin e Kosovës në botë por në fund të gjithë janë bindur se marrëveshja ka qenë e drejtë dhe e saktë. Në të njëjtën kohë, ne që kemi një kufi, një territor me Serbinë rreth 410 kilometra, duhet definitivisht ta definojmë para përmbylljes së marrëveshjes apo si kusht për përmbyllje të marrëveshjes për njohjen reciproke. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e vijave kufitare”, është shprehur ai.
Sa i përket çështjes së ndryshimit të kufijve, Thaçi në këtë intervistë ka thënë se për të ende nuk është diskutuar konkretisht.
“Unë nuk mund të përgjigjem në diçka që nuk është kërkuar dhe nuk mund të përgjigjem në diçka që mund të shtrojë si çështje Serbia, por mund të konfirmoj se askush nuk ka hedhur në tavolinë hartat. Por ajo që mund të them përsëri është se marrëveshja do të arrihet ndërmjet dy vendeve sovrane me njohje reciproke”.
Presidenti ka thënë poashtu se taksa me Serbinë duhet të pezullohet ashtu siç janë duke kërkuar SHBA dhe BE-ja në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut.

Lini një Përgjigje