Thaçi tregon se çfarë diskutoi me komisionerin Hahn në Davos

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në Davos të Zvicrës është takuar me komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ka takuar komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn.

Presidenti Thaçi në një prononcim për radio televizionin publik, ka thënë se me komisionerin Hahn ka biseduar për dialogun me Serbinë dhe për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, me komisionerin Hahn ka biseduar për mundësinë e gjetjes së lehtësirave për liberalizimin e vizave.

“…Për të lehtësuar nxjerrjen e vendimit nga Këshilli i Ministrave për liberalizmin e vizave pasi që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe tash i mbetet Brukselit që të marrë vendime, sepse siç tha edhe komisioneri Hahn se tash vendimi është te disa shtete anëtare që janë duke e shqyrtuar vendimin për liberalizimin e vizave….”, ka thënë Thaçi.

Tutje ai ka thënë se një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë për dialogun do të mund të ndodhë të javët e ardhshme.

Presidenti Thaçi ka thënë se përmes marrëveshjes me Serbinë, Kosova do të përfitonte njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Parashihet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare…..Kjo marrëveshje do të nënkuptonte transformimin e shtetit të Kosovës”, është shprehur presidenti Thaçi.

Tutje presidenti i Kosovës ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Forum botëror është një mundësi e mirë për promovimin e vendit dhe për mundësinë e sjelljes së investitorëve të huaj.

Lini një Përgjigje