Themelohet Ansambli Shqiptar “Kumanova”

508

Në qytetin e Kumanovës këtyre ditëve u themelua edhe një ansambël kulturor-artistik. Bëhet fjalë për Ansamblin Shqiptar “Kumanova”, i cili siç thotë njëri nga themeluesit Agim Behluli, ishte më se i nevojshëm pasi kishte kërkesa mjaft të mëdha nga rinia kumanovare. 

“Duke parë interesimin e madh të fëmijëve tanë që të merren me aktivitete, ne u detyruam të formojmë edhe një Ansambël e të cilin e pagëzuam Ansambli Shqiptar “Kumanova”, dhe që në fillim startuam me grupin e parë të baletit, kemi edhe grupin e këngëve dhe valleve si artistike dhe popullore ku bëjnë pjesë edhe grupi i instrumetalistëve si Daullja dhe Zurla. Në të ardhmen do të formojmë edhe grupin e valltarëve, sepse ende nuk kemi filluar shpresojmë se shumë shpejt do ta caktojmë një takim me anëtarët e rinjë dhe do gjejmë vendin për ushtrime”, theksoi për TVM2 Agim Behluli, themelues i Ansamblit Shqiptar “Kumanova”.

“Më ka pëlqyer që nga fillimi iniciativa e marrur, duke parë se rinia kumanovare ka nevojë për këso aktivitete, kështu që edhe unë vendosa që të jem pjesë e këtij ansambli, meqë është fillimi, si koreografe jam shumë e kënaqur por besoj se me kalimin e kohës do të ketë  edhe më shumë të interesuar, pasiqë tani e kanë mundësinë që të ushtrojnë këto lloj aktivitete”, theksoi Bjondina Sherifi, koreografe në Ansamblin Shqiptar “Kumanova”.

Themeluesit e Ansamblit Shqiptar “Kumanova”, shpresojnë edhe në mbështetjen e institucioneve për zhvillimin dhe avancimin e veprimtarisë së tyre kulturo artistike.