Thyerja e kufirit, Agim Ramadani dhe Kushtetuta e Kosovës

0
90

Shkruan Valon Murati:

Sot në të njëjtën ditë Kosova feston dy data të rëndësishme të historisë së saj. Thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Betejën e Koshares si dhe Ditën e Kushtetutës.

Si çdo ngjarje historike, edhe thyerja e kufirit e ka një simbol, atë të Agim Ramadanit i cili do të bie dëshmor dy ditë më vonë, më 11 prill 1999. Ajo që ka ndodh me këtë figurë madhore të historisë së re të Kosovës është një simptomë sesi kanë rrjedhur disa procese në Kosovën e pasluftës. Agim Ramadani, përveç ikonë e kësaj beteje, ai është edhe simboli i thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar dhe rrjedhimisht simbol jo vetëm i idesë dhe përpjekjeve për liri të Kosovës por edhe të bashkimit kombëtar. Dhe kjo jo vetëm pse ky ishte betimi i UÇK-së, por sepse ajo ishte bindja e thellë e vetë Agim Ramadanit. Agim Ramadani, nuk ishte vetëm një strateg ushtarak, e as vetëm një poet e piktor, ai mbi të gjitha ishte një qenie politike, një njeri me bindje të thella mbi politikën e mbi të ardhmen e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon. Çlirimi i Kosovës dhe liria e popullit të saj duhej natyrshëm të përfundonte me bashkimin e saj me Shqipërinë si projekti më i sigurte për shqiptarët në Ballkanin e trazuar. Por për të qenë ironia më e madhe, në katrahurën e pas luftës dhe ngarendjes që të gjithë të kenë dëshmorët e vet, figura e tij u kidnapua nga një rrymë politike e cila jo vetëm që bashkimin kombëtar e ka fshirë nga fjalori i vet politik, por hapur propagandon të kundërtën e afrimit dhe të bashkimit të shqiptarëve: kosovacentrizmin si një prej projekteve më të dëmshme edhe për vetë konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër sot festohet edhe Dita e Kushtetutës. Kushtetuta jonë është burim i Pakos së Ahtisaarit dhe produkt i një kompromisi për pavarësinë e Kosovës. I një kompromisi të menduar se po bëhet me Serbinë, por përfundoi në një marrëveshje me aleatët ndërkombëtarë. Pjesë e këtij kompromisi ishte ndalimi me normë kushtetuese i mundësisë së bashkimit kombëtar. Ironia e jetës është se në ditën e thyerjes së kufirit, ne festojmë ditën e kushtetutës e cila vërtet e përcakton Kosovën shtet, por një shtet vërtet sui generis, të cilit i ndalohet ushtrimit i sovranitetit popullor. Ky kompromis u pat menduar se do të sjell njohjen e Serbisë, gjë e cila nuk ndodhi dhe Kosova në mënyrë të njëanshme e zbatoi Pakon e Ahtisaarit. Vërtet u bëmë shtet, por për shkak të strukturës kushtetuese me shumë probleme funksionaliteti së brendshme. Andaj sot, jo vetëm për shkak të çështjes së bashkimit, por edhe të jofunksionaliteteve të tjera që po burojnë edhe nga një klasë e papërgjegjshme politike, është koha për ndryshimin e kushtetutës. Kjo kushtetutë po i vie e ngushtë Kosovës. Ishte një këmishë e ngushtë edhe kur ishte një shtet-foshnje, tani shteti ynë që ka hyrë në dekadën e dytë të jetës po e ka krejt të vështirë ta vesh. Por kjo nuk është punë e lehtë. Kjo kushtetutë ka shumë kleçka jofunksionaliteti. Një prej tyre është pamundësia e ndryshimit të saj pa 2/3 e deputetëve të pakicave, përkatësisht pa vullnetin e Listës Serbe (në rastin tonë të Serbisë). Dhe duam nuk duam ne, rruga e zgjidhjes së problemeve të mbetura të Kosovës është përmes dialogut me Serbinë. Por jo një dialog vetëm për Kosovën dhe për serbët në të, siç ka ndodhur që prej vitit 2011 por edhe për Serbinë dhe shqiptarët në Kosovën Lindore. Parimi i këtij dialogu duhet të jetë reciprociteti. Andaj është jetike që politika jonë, e në rastin aktual qeveria jonë, e formuar nga një parti që është ngritur kundër çfarëdo dialogu me Serbinë, por që ka një legjitimitet të madh për momentin, të kuptojë se një zgjidhje e problemeve të mbetura me Serbinë, që do të përfshinte ripërcatktimin e kufijve do të hapte rrugën për ndryshimet kushtetuese dhe funksionalizimin përfundimtar të shtetit të Kosovës. Vazhdimi i lojës politike të brendshme me dialogun, loja mbi përcaktimin e tij si jo prioritet për Kosovën, përderisa dialogun e kemi të dera, është vazhdim i një papërgjegjësie politike e cila do të bie mbi kurrizin e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Përfundimisht dialogu nuk duhet të ishte pjesë e betejës politike në Kosovë por do të duhej të ishte pjesë e një konsensusi të brendshëm.

Vetëm kur do të hiqeshin pengesat për bashkim, do të kishte kuptim festimi i këtyre datave si një e vetme. E sa i përket bashkimit, kjo pastaj do të ishte pjesë e një procesi politik dhe vullnetit të sovranit.

Andaj edhe këtë ditë, e në kujtim të lirisë së Kosovës por edhe të kushtetutës së saj sado me të meta që është, duhet të jemi falënderues për dëshmorët e kombit. Lavdi jetës dhe veprës së tyre.

Autori është kryetar Lëvizjes për Bashkim.