Tifozat Kuq e Zi i reagojnë FSHF-së: S’kemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë

Shqipëria dhe Serbia kanë kërkuar zyrtarisht organizimin e Kampionatit Evropian në futboll për grupmoshën deri në 21 vjeç, në vitin 2027.

Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një komunikate ka bërë të ditur se i ka dërguar kërkesën UEFA-s, që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni.

Sipas FSHF-së, kjo është bërë për shkak të mungesës së infrastrukturës në Shqipëri.

Në lidhje me këtë kanë reaguar Tifozat Kuq e Zi, duke thënë se Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë.

“Lajmet për organizimin e Kampionatit Evropian të Shpresave (U21) 2027 nga Serbia kanë qarkulluar që në fillim të marsit 2024. Në këto lajme, njoftohet se Serbia aplikon e vetme për të organizuar këtë Evropian. Në të njejtat raportime te lajmit shkruhet se Serbisë “mund t’i kërkohet nga UEFA që ta organizojë kampionatin së bashku me Shqipërinë”, thuhet në reagim.

“Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje. Sa për marrëdhëniet e drejtpërdrejta sportive të Shqipërisë me Serbinë pamjet, thirrjet, kriminale për therjen dhe vrasjen e shqiptarëve, goditjet ndaj lojtarëve tanë në 14 tetor 2014, dhe terrori ndaj delegacionit nuk besojmë se janë harruar. Njëlloj vazhdon përhapja e parullave të ngjashme nga tifozët serbë në ndeshje ku nuk janë aspak të perfshirë skuadrat shqiptare. Për asnjë nga këto nuk është kërkuar falje, përkundrazi kane luftuar edhe “sportivisht” kundër nesh deri në shkallët më të larta gjyqesore sportive”.

“Duke qenë se shpesh dhe me të drejtë sporti përdoret për të promovuar paqe, bashkëpunimin, mirëkuptim dhe shpresë do të duhej fallciteti, fasada, propaganda dhe në rastin më të mirë PR-i të organizohej dhe t’i “shiteshin” publikut pak më profesionalisht. Kështu që mirë do të ishte FSHF të tregojë nëse paraprakisht ka kërkuar të organizojë U21 Euro 2027 së bashku me Maqedoninë e Veriut, apo me Malin e Zi? Për sa kohë nuk përmbushim kërkesat teknike të mos shesim fytyrën dhe interesat etnike. Fqinjë kemi boll, skemi pse kapërcejmë Kosovën për ti dhënë ndihmë Serbisë”.

Lini një Përgjigje