Tjetër prurje e re në Kombëtaren shqiptare

Përveç dy futbollistëve të Partizanit, Bruno Telushi dhe Lorenc Trashi, në kompleksin Tropikal në Durrës ka mbërritur një emër i ri për Kombëtaren. Bëhet fjalë për Kleandro Lleshin, i cili luan me Leganes B në Spanjë.

Futbollisti 19-vjeçar ka postuar në rrjetet sociale foto me fanellën kuqezi, teksa komenton me emocion edhe praninë e Hamdi Salihit në staf, si ndihmës të Edy Rejas.

“Dikur e adhuroja si lojtar, tani kam kënaqësinë ta kem Mister”, shkruan Lleshi në Instagram, teksa poston edhe dy foto me Salihin, njëra para shumë vitesh kur ai ishte vetëm tifoz, dhe tjetra nga grumbullimi aktual.

Reja ka vendosur të grumbullojë një numër të konsiderueshëm lojtarësh, pasi do të ketë më shumë se dy javë kohë për të punuar me skuadrën. Sigurisht që shumë prej të grumbulluarve nuk do të jenë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e radhës, por të paktën do të kenë mundësi për të punuar me trajnerin e ri të Shqipërisë, i cili më pas mund t’i ketë në konsideratë për të ardhmen./Supersport/