Togeri me origjinë nga Peja, emërohet Komandant i Detektivëve të Komisariatit Policor në New York

Togeri i Policisë së New Yorkut, Kreshnik Nevzat Bakraqi me origjinë nga Peja, është emëruar tashmë si Komandant i Detektivëve të Komisariatit 52.

Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata “Peja – New York”, e cila i ka shprehur Bakraqit urimet më të mira për pozitën e re.

“Toger Kreshnik Bakraqi me origjinë nga qyteti jonë i bukur Peja, shënoi një sukses të radhës të komunitetit tonë profesional duke u ngritur në detyrë dhe duke u emëruar tashmë si Komandant i Detektivëve të Komisariatit 52”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Sipas shoqatës, Bakraqi është shqiptaro-amerikani i parë që emërohet në një pozitë të tillë.

“Togeri Bakraqi vjen nga një familje shumë e nderuar e Pejës dhe shënon një arritje të madhe duke u bërë i pari shqiptaro-amerikan që merr një emërim kaq prestigjioz. Shoqata jonë dhe të gjithë shqiptarët duhet të ndihen krenarë për aktualizimin e potencialit të profesionistëve tanë të shkëlqyer dhe për prezantimin dinjitoz që ata bëjnë si pjesëtarë të komunitetit profesional”, thuhet tutje në njoftim.