Tomë Gashi: Së shpejti do të ngrihen aktakuzat e para

Gjykata Speciale nuk e ka ndalur dërgimin e ftesave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë. Pas disa javëve “qetësi” Specialja të mërkurën (dje) ka dërguar ftesën e radhës ndaj një ish-pjesëtari të UÇK-së. Rrahim Hashimi ka njoftuar se do të paraqitet në Hagë më 9 prill në cilësinë e të dyshuarit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Avokati Tomë Gashi, duke e vlerësuar Gjykatën Speciale si gjykatë të dëmshme për shqiptarët, ka thënë për “Zërin” se aktualisht puna e këtij institucioni ka stagnuar për shkak të zhvillimeve aktuale në vend, që kanë të bëjnë me negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duke u nisur nga ngecja e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, që është në një bllokadë totale e cila ka lidhshmëri edhe me punën e Gjykatës Speciale, por sido që të jetë për ta ruajtur kredibilitetin Prokuroria mund të ndodhë që veçse ka dërguar aktakuza në Gjykatë, të cilat janë të ligjshme dhe mund të jenë aktakuza të fshehura për një numër të personave të caktuar që janë marrë në pyetje tashmë”, ka thënë Gashi.

Gashi vlerëson që kjo gjykatë shumë shpejt do t’i ngrejë edhe aktakuzat e para, mirëpo sipas tij në këtë fazë nuk do të përfshihen figura të nivelit të lartë.

“Gjykata Speciale pavarësisht se është jashtëzakonisht e dëmshme për shqiptarët në përgjithësi dhe posaçërisht për pjesëtarët e UÇK-së dhe duke e pasur parasysh që kjo gjykatë është edhe krejtësisht politike nën ombrellën kinse të shtetit të Kosovës përsëri do t’i ngrejë shumë shpejt aktakuzat e para, por jo të nivelit të lartë”, ka theksuar ndër të tjera ai.