Trajkoviq: Taksa hiqet javën e ardhshme, marrëveshja Thaçi-Vuçiq në fund të shkurtit

Kryetarja e Lëvizjes evropiane për Kosovën, Rada Trajkoviq, ka thënë se javën e ardhme do të suspendohet taksa e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe se, “sipas të gjitha gjasave”, deri në fund të shkurtit do të nënshkruar marrëveshja me tri pika mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Trajkoviq, në një bisedë për “Jugpress”, thotë se, sipas informatave që posedon, një nga pikat e marrëveshjes do të jetë ajo që “Serbia nuk ka asgjë kundër që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare”.

Trajkoviq ka thënë se popullata serbe në Graçanicë, me të cilët thotë se po takohet shpesh këtyre ditëve, por edhe në tërë Kosovën, “janë krejtësisht të hutuar”.

“Serbët, veçanërisht ata në enklava, janë shumë të frikësuar për të ardhmen e tyre, për atë që po ndodh momentalisht në Prishtinë e që janë biseda aktive dhe presione që vijnë nga zotëri Boltoni ndaj Thaçit, Haradinajt, dhe paralelisht, ndaj zotëri Ramës në Shqipëri”, ka thënë Trajkoviqit.

“Sipas informatave të mia, pritet që javën e ardhshme të suspendohet taksa, dhe anëtarët e Qeverisë do ta mbivotojnë Haradinajn. Ai do t’i qëndrojë prapa taksës, por nuk do të ketë zgjedhje, por në këtë mënyrë, me mbivotim, Ramush Haradinaj do të shpëtojë veten dhe Qeverinë. Ka shumë të ngjarë që deri në fund të shkurtit të nënshkruar marrëveshja mes Thaçit e Vuçiqit, e cila do të ketë tri pika. Një nga pikat do të jetë që Serbia nuk ka asgjë kundër që Kosova do të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare”, deklaroi Trajkoviq.

Ajo ka thënë se “kjo interpretohet si një projekt amerikan, duke e pasur parasysh se Amerika i njeh Kosovën dhe Serbinë si shtete të pavarura, edhe pse vetëm Serbia është e verifikuar si e tillë në Kombet e Bashkuara – Kosova s’e ka këtë verifikim”.

“Në njërën anë, në Prishtinë ekziston një huti e madhe, madje edhe në mesin e shqiptarëve, e se si do të rezultojë e gjithë kjo, unë nuk e di. Në Mitrovicë po përgatitet një kundër-takim, për demokratizimin e serbëve në Kosovë, për të drejtën në zë dhe mendim ndryshe, për luftë e për të drejtat e njeriut. Në anën tjetër, keni administratën e Vuçiqit, administratën e SNS-së, e cila vërtet shfrytëzon të gjitha metodat të cilat me të vërtetë i ngjajnë kontrolleve të Gestapos dhe një regjimi që ka udhëhequr dikur”, tha ajo.

Sipas saj, as ushtria e Kosovës, e as ajo e Serbisë, nuk mund të hyjnë në veri të Kosovës pa lejen e KFOR-it, ndërsa ka theksuar se mund të ndodhë që “veriu i Kosovës do të definohet me marrëveshjen mes Thaçit e Vuçiqit në fund të shkurtit”.

Trajkoviqi thotë se për çështjen e korrigjimit të kufijve po zhvillohet bisedime të fshehta mes Thaçit e Vuçiqit, ndërsa thekson se “nëse marrëveshja përfundimtare do të vijë përmes Amerikës, kjo do të thotë se ata njohin sovranitetin e Kosovës dhe të Serbisë, dhe unë mendoj që në një periudhë të shkurtër Vuçiqi do të nënshkruajë marrëveshjen e cila nënkupton humbjen e Kosovës ose njohjen e Kosovës me garancën për mbetje në pushtet”.

Lini një Përgjigje