Trajtimi i shtetit si biznes privat nga Fatmir Limaj

Katër familjarë të ngushtë të Fatmir Limajt, janë punësuar në ministri të ndryshme që udhëhiqen nga njerëzit e Nismës Socialdemokrate. Rehatim në institucione vendore ka pasur edhe për gjashtë familjarë të Jakup Krasniqit. Mbipopullim me punësime familjare dhe partiake ka pasur edhe nga Shyqiri Bytyqi, zyrtar i Nismës që udhëheq me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Biznes privat po i duken institucionet e shtetit, zv.kryeministrit Fatmir Limaj.

Shefi i Nismës Socialdemokrate, duket se nuk e ka ndërmend të ndalet, në punësimin e familjarëve më të ngushtë të tij.

Djali, dhëndrri, motra e gruas dhe bashkëshortja e shoferit personal – janë vetëm disa nga të afërmit e zv.kryeministrit Limaj, të cilët janë ‘rehatuar’ në ministritë kosovare, të cilat udhëhiqen nga Nisma Socialdemokrate, shkruan Insajderi.

Punësimi më i ri, është i Sadbere Balajt –motra e gruas së zv.kryeministrit Fatmir Limaj.

Ajo është punësuar në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, e cila udhëhiqet nga Dardan Gashi. Përkundër që Gashi nuk është zyrtar i Nismës Socialdemokrate, pjesa më e madhe e zyrtarëve të kësaj ministrie, vijnë nga partia e Limajt.

Familjarët e Limajt, ishin punësuar edhe më herët në institucionet kryesore të shtetit.

Djali i zv.kryeministrit, Durim Limaj, tashmë është i punsuar si këshilltar i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë. Kjo ministri udhëhiqet nga Endrit Shala – njëri ndër zyrtarët më të lartë të Nismës Socialdemokrate.

Edhe një vend tjetër brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është rezervuar për familjarët e ngushtë të Fatmir Limajt.

Aty është punësuar edhe Veron Selmani, Veron Selmani, burri i vajzës së Fatmir Limajt.

Dhëndrri i Limajt është punësuar si konsulent për çështje financiare.

Është pozita për në të cilën Veron Selmani është angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta në mars të vitit 2018 në Agjencinë KISEA – agjenci e cila është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Një “rehatim” të tillë, i ishte bërë edhe gruas së shoferit të Limajt.

Teuta Telaku, bashkëshortja e Shpëtim Telakut, është punësuar kohë më parë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Për Telakun, ishte rezervuar një vend në Departamentin e Zyrës së Auditorit të Brendshëm, brenda ministrisë e cila udhëhiqet nga ministri i Nismës Socialdemokrate, Skender Reçica.

Por, familjarët dhe të afërmit e zyrtarëve tjerë të Nismës Socialdemokrate, tashmë janë vendosur në pozita brenda institucioneve vendore.

Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë hapur dyert për gjashtë nipërit e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit.

Katër vëllezërit e Krasniqit, kanë të punësuar djemtë e tyre në institucione të ndryshme të vendit.

Abdyli vëllai i Jakup Krasniqit ka të punësuar dy djemtë e tij në institucione të vendit, ndërsa vet ai është pjesë e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

(Vëllai i Jakup Krasniqit)

Dardani, djali i Avdylit është i punësuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit ndërsa, djali tjetër i tij, Taulanti është punësuar së fundmi si inspektor nafte në Ministri i Tregtisë dhe Industrisë – ministri kjo që udhëhoqët nga Nisma.

 

Vëllai tjetër i Jakupit, Halimi që kishte qenë drejtor në një shkollë në Negrovc , ka të punësuar djalin e tij në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Bledar Krasniqi, është nipi tjetër i Jakup Krasniqit që institucionet e vendit ia kanë hapur dyert.

(Vëllai i Jakup Krasniqit dhe nipërit e tij)

Po ashtu edhe Agimi, vëllai tjetër i Jakupit ka të punësuar djalin në institucionet e vendit. Arian Krasniqit ia hapi dyert Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga partia që e themeloi Jakup Krasnqi. Pas shkarkimit të ministrit, Bajram Hasani u punësua në Ministrinë e Drejtësisë.

(Ariani, nipi i Jakup Krasniqit)

Konak nipërve të ta Jakup Krasniqit i bërën edhe Administrata Tatimore e Kosovës. Aty u punësua Iliri djali i Rexhepit.

Për dallim nga pesë nipërit e Krasniqit që kishin qëndruar të heshtur për publikun, kishte qenë Kushtrimi, djali i Rexhepit që ishte përfshirë në një skandal. Ai si zyrtar i lartë i MPB-së kishte punuar në favor të tezakut të tij dhe dy valltareve nga Shqipëria.

Si zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme kishte insistuar tek kapiteni policor në rajonin e Prizrenit, Fadil Rexhepi, që t’ia kthente pasaportat dy valltareve nga Shqipëria që po qëndronin jashtëligjshëm në Kosovë në vitin 2014.

Kushtrim Krasniqi, i cili punonte në Zyrën për Migrim dhe të Huaj, shprehet i penduar për veprimet që ka kryer. Tani, ai thotë se po aspiron që të bëhet pjesë e Bordit të Agjencionit për Ndihma Shtetërore, që funksionin në kuadër të Kuvendit të Kosovës. Insajderi kishte zbuluar rastin që nuk është bërë publik tash e tri vite

Për gjithë punësimet e nipërve, Jakup Krasnqi nuk e ka folur asnjë fjalë. Ai nuk i është përgjigjur as thirrjes nga ana Insajderit për të sqaruar punësimet e gjashtë nipërve të tij.

Punësime masive dhe familjare janë bërë edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Zyrtari i lartë i Nismës, që udhëheq me këtë ministri, Shyqiri Bytyqi, ka rehatuar shumë familjarë dhe militantë të partisë së Limajt.

Rrjeti i organizatave joqeveritare (OJQ), AVONET, ka publikuar një listë me emra të personave të cilat janë punësuar në Ministrinë e Arsimit, e që organizata pretendon se janë të afërm të ministrit apo edhe militantë të partisë së udhëhequr nga Fatmir Limaj.

“Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka bërë hulumtimin dhe si rezultat i kësaj kemi identifikuar se rekrutimi në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është bërë në baza politike dhe familjare, pothuajse komplet në këto punësime janë personat të cilët janë pranuar dalin të jenë pjesë e strukturave të partisë Nisma Socialdemokrate, parti e cila udhëheq me këtë ministri”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga AVONET.

Në këtë hulumtim ata kanë publikuar edhe emrat e atyre të cilët janë punësuar në këtë ministri, e që kanë lidhje familjare me ministrin Shyqyri Bytyqi, apo janë anëtarë të NISMA-s.

AVONET ju sjellë vetëm disa nga personat të cilat lidhen drejtpërdrejt me militant dhe familjar të partisë NISMA Socialdemokrate:

1.Shkurte Gashi, ishte kandidate për asamble në Komunën e Prishtinës,

2.Valdete Prebeza, ishte kandidate për asamble në Komunën e Prishtinës,

3.Arianit Krasniqi, kryetar i rinisë të Degës Nisma Socialdemokrate në Malishevë,

4.Rudina Restelica, e aderuar në muajin qershor 2018 në partin Nisma Socialdemokrate,

5.Veton Kastrati ish asamblist i partiës Nisma dega në Malishevë,

6.Lavdim Rizani anëtar i degës së partisë Nismës në Lipjan,

7.Diana Bytyqi, bashkëshortja e Ardian Gashit zyrtarit të Nismës për Media

8.Alberina Foniqi Boja, anëtare e forumit të gruas në Suharekë ,

9.Në këtë institucion përmes një projekti të MPMS është punësuar mbesa e ministrit znj. Beslina Hoxha dhe Milot Hyseni, djali i motrës së bashkëshortes se ministrit.

10.Ardita Muqolli e cila ka aderuar në muajin qershor në Nisma.

Kjo organizatë thotë se është shqetësues fakti që punësimet partiake e familjare janë shndërruar në diçka krejt normale.

“AVONET, duke parë se kjo dukuri është bërë njëra prej “veprimeve normale” në shoqërinë tonë nga zyrtarët e lart politik, si një prej dukurive aspak demokratike, ku po ju pamundësohet konkurrimi i barabartë në konkurse publike, andaj AVONET shpreh shqetësimin më të thellë dhe konsiderojnë se zyrtarët e institucioneve janë duke abuzuar me detyrën zyrtare dhe duke cenuar të drejtën për punësim dhe papunësinë që ky veprim është i sanksionuar edhe me Kodin Penal të Kosovës.”, vazhdon komunikata.

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS me nr. 04/L-082 i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Neni 222/ Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë

1. Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç që është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet.

2.Kushdo që nuk vepron në pajtim me legjislacionin mbi të drejtat e personave të papunësuar dhe me këtë ia mohon apo ia kufizon të drejtat që iu takojnë atyre, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni.

AVONET, konsideron se përgjegjësi e kësaj praktike është ministri Bytyqi, i cili është udhëheqës i kësaj ministrie dhe përgjegjësia i takon ministrit Bytyqi, po ashtu ai është në dijeni për këtë praktik, ku ky ministër ka të punësuar edhe të afërt të tij.

AVONET kërkon nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga kryeministri Haredinaj që të merr masa ndaj këtij institucioni dhe poashtu kërkojmë nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi të ftoj ministrin Bytyqi në interpelancë dhe kërkojmë nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të hetoj rastin.

Zv.kryeministri Limaj, në fushatën zgjedhore të qershorit të vitit 2017, kishte dhënë një premtim të madh. Pati thënë se nuk do të ketë familje në këtë që nuk do ta ketë së paku një person të punësuar.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, pati thënë në vitin 2018, se “gjatë vitit të ardhshëm (lexo 2019) përparësi punësimi do të kenë anëtarët e familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar”.

“Janë me mijëra familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe ne duam ta ndërlidhim ndërmarrjen tonë me agjencinë e punësimit dhe t’i lidhim ndërmarrësit tanë me shkollat tona profesionale dhe kjo garanton apo siguron mundësi tjetër për punësim edhe zhvillim ekonomik të vendit. Koha është të ndryshohet gjendja”, kishte thënë Limaj.

Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, janë dy zyrtarët më të lartë të Nismës Socialdemokrate. Derisa Limaj mban postin e zv/kryeministrit të qeverisë Haradinaj, Krasniqi ka vendosur që mos të jetë fare pjesë e ndonjë institucioni vendor.

Të dy këta, kishin formuar partinë, pas daljes nga Partia Demokratike e Kosovës – në të cilën kishin qenë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Fatmir Limaj, në kohën sa ishte në PDK, kishte qenë ministër i Transportit dhe Post Telekomunikacionit. Ndërsa, Jakup Krasniqi, si zyrtar i PDK-së, për dy mandate radhazi kishte mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit./Insajderi.com

Lini një Përgjigje