Trëndafilova dje: “Këtë vit s’vij në Kosovë”- sot ajo ndodhet në Prishtinë

0
52

Në konferencën online të nj dite më parë, një ndër pyetjet për Trendafilovën, e parashtruar nga RTKlive, ishte edhe ajo se kur planifikonte të vinte në Kosovë.

“Nuk e di, nuk besoj se do të vij deri në fund të këtij viti sepse unë gjithashtu kam shumë punë”, tha Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Sot, ajo ndodhet në Prishtinë.

“Fuqia e jonë është transparenca dhe jemi të sinqertë. Ne nuk shpikim gjëra”.

Kështu deklaroi një ditë më parë (të mërkurën) Ekaterina Trendafilova, në konferencën online, të mbajtur me gazetarët kosovarë.

Bazuar në deklarimin e saj dhe mënyrën e mbajtjes së konferencës (online), nënkuptohej se ajo nuk ishte në Kosovë.

Megjithatë, në këtë rast, duket se Trendafilova, vetëm e sinqertë nuk është treguar me gazetarët kosovarë.

Në konferencën online, një ndër pyetjet për Trendafilovën, e parashtruar nga RTKlive, ishte edhe ajo se kur planifikonte të vinte në Kosovë.

Pyetja nga RTKlive ishte: A planifikoni sërish që këtë vit të vini në Kosovë e gjithashtu të mbani konferencë me gazetarë ashtu sic e kishit planifikuar apo keni vendosur që të gjitha deklarimet tuaja t’i realizoni në këtë mënyrë (online v.j)?

Në këtë pyetje, Trendafilova dha këtë përgjigje: “Së pari kjo ka të bëjë me një pyetje nëse unë isha e brengosur për sigurinë time personale. Jo….Nuk e di, nuk besoj se do të vij deri në fund të këtij viti sepse unë gjithashtu kam shumë punë. Por unë vetëm theksova se kemi punuar me të gjithë gjykatësit me rastet edhe gjatë kohës së pushimeve sepse ishte një kërkesë edhe nga dëshmitarët. Por natyrisht se kjo do të varet nga rrethanat. Natyrisht e unë do të vij përsëri mirëpo unë nuk dëshiroj të shihem sikur po e sfidoj dikën. Por jo, duhet të vazhdojmë me takimet dhe qëllimi i takimeve të tilla është për të ofruar nga institucioni, të dhëna të sigurta të mbështetshme se sa përkthime, sa faqe, sa vizita janë bërë në qendrën e paraburgimit,sa fushata ndërgjegjësimi…Por natyrisht se do të vij, por kur, nuk mund të them”.

Por, pa kaluar as 24 orë, Trendafilova e demanton vetën. Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, është publikuar një komunikatë, sipas së cilës, Trendafilova ndodhet në Prishtinë.

Komunikata mban datën 22 shtator (e enjte) dhe aty shkruan se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës(DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, u takua ditën e sotme me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu.

“Ndër temat që u diskutuan gjatë këtij takimi ishin proceset gjyqësore aktuale dhe puna e gjykatës, të drejtat e të akuzuarve dhe viktimave gjatë proceseve gjyqësore, roli i Avokatit të Popullit si dhe bashkëpunimi”.

Për më tepër, aty theksohet se ajo ndodhet këtë javë në Prishtinë, për t’u takuar me organizatat e shoqërisë civile dhe mediat në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

Për këtë takim ka njoftuar e dhe Ministria e Drejtësisë së Kosovës në një komunikatë të lëshuar për media në orët e paradites së sotme.

Konferenca e Trendafilovës është mbajtur të mërkurën nga ora 10:00 dhe ka zgjatur deri në orën 11:13 minuta. Ndërkohë, në llogarinë në Facebook të Ministrisë së Drejtësisë, njoftimi për takim të ministres Hxhiu me Trendafilovën, është publikuar rreth orës 11:00 të paradites.

Në këtë rast, rezulton se Ekaterina Trendafilova, jo vetëm që nuk është treguar e sinqertë me gazetarët kosovarë kur ka thënë se nuk do të vijë këtë vit në Kosovë, por koha e mbajtjes së konferencës së saj me gazetarët kosovarë (e mërkurë ora 11:00), me takimet zyrtare në Prishtinë (e enjte ora 10:00), ngreh pikëpyetje, nëse gjatë mbajtjes së konferencës me media online, ajo tashmë ishte në Prishtinë.

Zyrtarisht ishte njoftuar se Trendafilova nuk do të vinte në Gjilan, ashtu sic kishte planifikuar për konferencë me gazetarë dhe shoqërinë civile.

Arsyeja ishin protestat e paralajmëruara nga PSD dhe veteranët e UÇK-së, kundër ardhjes së saj.