Treni shkel një person tek kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se treni ka goditur një 20-vjeçar në Prishtinë.

Sot rreth orës 14:00 në linjën hekurudhore Pejë – Prishtinë, respektivisht në segmentin që kalon përreth kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë  ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person ka pësuar lëndime të rënda.

Sipas Policisë, në këtë aksident dyshohet që treni, i cili ka qenë në lëvizje, ka goditur një 20-vjeçar me inicialet I. H., i cili ka marrë lëndime të rënda trupore.

I njëjti sipas Policisë është dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që kanë sjellë deri te ky aksident.

Personi i cili i është shkelur nga treni është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Këtë për klankosova.tv e konfirmoi Shpend Fazliu, zyrtar për media në QKUK, i cili pohoi  se sot e kanë pranuar në Klinikën e Emergjencës një person që e ka shkelur treni në Zonën Industriale, në hyrje të Prishtinës.

“Personi është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është duke marrur ndihmë mjekësore nga mjekët”.

“Mjekët e emergjencës janë duke punuar shumë për këtë pacient”, tha Fazliu për Klan Kosova.