“Tribunali special, produkt i një mashtrimi”

Nga Serge Métais

Tribunali special për Kosovën e ka bërë publike aktakuzën: Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për “krime të luftës” dhe “krime kundër njerëzimit”. Por asnjë gjurmë e trafikimit të organeme të nxjerra nga të burgosur serbë, një poshtërsi e krijuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse. A do të munden udhëheqësit e BE-së ta lejojnë procesin të vazhdojë sikurse të mos kishte ndodhur asgjë?

Tribunali special për Kosovën e ka bërë publike aktakuzën më 4 nëntor. Hashim Thaçi (presidenti i Kosovës i cili u desh të japë dorëheqje) dhe tre ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë tashmë të akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”. Ata janë të burgosur në Hagë.

Ata mbahen përgjegjës për krimet që thuhet se kishin ndodhur ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999, ku UÇK-ja thuhet se ka mbajtur të burgosur. Akuza i përmend rreth 15 të tilla në Kosovë, ndër të cilat edhe stacione policore që ajo i kishte marrë nën kontroll, dhe dy në veri të Shqipërisë.

Por, më e rëndësishmja është që në aktakuzë nuk gjendet asgjë për trafikimin e pretenduar të organeve të nxjerra nga të burgosur serbë. Hetimi s’ka mundur të nxjerrë asgjë për të ngritur një aktakuzë. Kështu e kemi një konfirmim se akuzat rreth trafikimit të organeve janë një poshtërsi e krijuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse.

Kjo e ngrit problemin e legjitimitetit të Tribunalit Special për Kosovë, të krijuar më 2015. Ai është, në fakt, një produkt i një operacioni të dezinformimit ndër më të suksesshmit që nga rënia e regjimeve komuniste. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian sot e kanë mbi shpatullat e tyre. A do të munden ata ta lejojnë procesin të vazhdojë sikurse të mos kishte ndodhur asgjë?

Por, para se të përgjigjemi në këtë pyetje, ia vlen të kthehemi tek natyra e operacionit të dezinformimit i cila ka shpënë deri tek krijimi i Tribunalit Special. Si kemi ardhur deri këtu?

Dezinformimi, një armë lufte

Për ta kuptuar, duhet së pari të rikujtohet se shërbimet sekrete jugosllave ishin të organizuara sipas modelit sovjetik. Sikurse KGB-ja, edhe UDB-ja (Shërbimi shtetëror jugosllav) ishte një polici politike. Këto shërbime nuk ishin vetëm organe të represionit dhe të cenzurës. Ato ishin po ashtu të ngarkuara ta shkruanin ose ta rishkruanin historinë, të furnizonin me dosje përgjegjësit e mediave (të përcaktuar si “organe të informimit të masës”), duke u treguar atyre se si duhej interpretuar ose paraqitur disa aktualitete. Ato po ashtu kishin mundësi të realizonin operacione të truqeve të ndyta, të krijonin “ngjarje” të destinuara për ta formuar opinionin publik.

Do t’i përmendim këtu vetëm dy raste për ta ilustruar këtë praktikë gjatë luftës së Kosovës. E para ka të bëjë me “furrat e gëlqerës”, në gusht 1998: armata dhe forcat e sigurisë serbe sapo e kishin marrë Kleçkën nga UÇK-ja; në atë kohë u zbulua rastësisht një furrë e gëlqerës, nga e cila u nxorën eshtra dhe mbetje njerëzore të pakalcifikuara. Dy të rinj shqiptarë, vëllezërit Marezku, të paraqitur si “ushtarë të UÇK-së”, ishin arrestuar dhe “e pranuan” që bashkë me ushtarë të tjerë i kishin radhitur dhjetra serbë dhe i kishin pushkatuar. Trupat pastaj do të ishin gjuajtur në furrë dhe do të duhej të humbisnin në zjarrin e madh… Kishte, sipas komunikatës zyrtare, “22 civilë serbë të mbytur e të djegur në krematoriumin e gëlqerës”. Një spektakël mediatik i paparë pasoi me praninë në terren të një gjyqtareje, pamje “direkte nga televizioni shtetëror serb dhe prezantimi i dy të rinjve “terroristë”, të hutuar, që thanë fjalë konfuze para mikrofonave dhe kamerave. Më vonë kuptohet se vëllezërit Marezku ishin arrestuar më 30 korrik 1998, d.m.th. 27 ditë para spektaklit të zbulimit të “krimit” të tyre. Sipas gjitha gjasave, ata ishin të droguar kur flisnin para kamerave. Të dënuar, të burgosur në Serbi, më në fund u shpallën të pafajshëm në mars 2002.

Shembulli tjetër është ai i të shtënave nga burra të maskuar, të veshur në të zeza, mbrëmjen e 14 dhjetorit 1998, në kafen Panda në Pejë, Kosovë. 13 të rinj serbë ishin të ulur aty. 6 persona u vranë dhe tre mbetën të plagosur rëndë. Emocioni ishte i jashtëzakonshëm në Serbi dhe në komunitetin serb në Kosovë. Terroristët kishin bërë kërdi në një kafe të frekuentuar nga të rinj serbë! Më shumë se 100 të dyshuar u arrestuan shpejt dhe iu nënshtruan marrjes në pyetje. Gjashtë të rinj shqiptarë “e pranuan” anëtarësinë e tyre në UÇK dhe pjesëmarrjen e tyre në krim. Ata u shpallën të pafajshëm më në fund, në mbarim të 1999-tës,  dhe u liruan. Masakra e kafes Panda ishin vepër e shërbimeve sekrete serbe.

Aleksandar Vuçiq, sot president i Serbisë, atëherë zëvendëskryeministër, e pranoi këtë publikisht gjatë një emisioni televiziv në mbarim të 2013-tës. Duke e përmendur “vrasjen e gjashtë serbëve të rinj në kafen Panda në 1998”, ai deklaroi: “Nuk ka elemente që dëshmojnë se ky krim u krye nga shqiptarët, siç mendojmë ne.”

Raste sikurse ai i “krematoriumit të Kelçkës” dhe e kafes Panda ishin të destinuara për të mbushur “zbrazëti” në opinionin publik serb. Mund të denoncoheshin luftëtarët shqiptarë si “terroristë”, por duhej më shumë për ta prekur ndjesinë e njerëzve. UÇK-ja organizonte prita. Caku i tyre ishin, para së gjithash, policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë. Shqiptarët nuk e praktikonin terrorizmin e verbër që prekte popullatën. Asgjë që mund ta prekte opinionin publik në Serbi dhe ta vendoste atë në anën e pushtetit sikurse atentatet e pështira të verbra dhe krimet barbare!

Afera e trafikimit të organeve është me barutin e njëjtë. Ajo ishte krijuar më vonë, pas luftës, në fillim të viteve 2000. I janë ngarkuar UÇK-së nxjerrje organesh nga të burgosur serbë, në Shqipëri, afër Burrelit, në një “shtëpi të verdhë”. Organet ishin të destinuara të “eksportohen”, nëpërmjet aeroportit të Tiranës. Kishte pasur me qindra viktima. Krimi ishte monstruoz.

Nuk dihej me saktësi se kur do të mund të kishte ndodhur krimi. Pas bombardimeve të NATO-s në pranverë 1999, atëherë kur UNMIK-u ishte vendosur në Kosovë? Duhej besuar që dosja ishte aq e besueshme sa që prokurorja e TPNJ (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), Carla del Ponte, e mori seriozisht dhe urdhëroi një hetim në terren, në Shqipëri, në 2004. Ajo nuk gjeti asgjë. Por, pas shkuarjes së saj nga Tribunali, ajo iu rikthye kësaj afere, në memoaret e saj të publikuara në 2006, sikurse të bëhej fjalë për një dosje që të mban pezull, e cila nuk ishte trajtuar me vëmendjen e merituar.

Kjo mjaftoi që makina e ferrit të rifillonte. Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e prokurores (dhe ish-gazetare në Le Monde), shkroi që Carla del Ponte ngriste akuza “pa e pasur as fillimin e provës”. Bernard Kouchner, ish-shef i UNMIK-ut e ndiente në mënyrë perfekte goditjen. I pyetur nga një gazetar serb, në 2010, gjatë një vizite në Kosovë, ai iu përgjigj atyre që i kishin lëshuar këto akuza për trafikim organesh të të burgosurve serbë duke i quajtur “lluma dhe vrasës”.

Konteksti, në vitet 2008-2010, ishte në fakt i favorshëm për këtë sukses të goditjes. Më 17 shkurt 2009 Kosova e proklamoi pavarësinë e saj. Rusët dhe serbët ishin të tërbuar dhe disa shtete evropiane hezitonin, të pasigurta se çfarë rruge të ndiqnin në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Edhe sot, për arsye që imagjinohet se janë të politikës së brendshme, shtete si Spanja nuk e njohin këtë pavarësi.

Ofensiva u bë, që nga prilli 2008, në Këshillin e Evropës. Rusët ishin keqtrajtuar shpesh aty në lidhje me dosje për të drejta të njeriut në vendin e tyre. Ata e kishin një mundësi për ta përmbysur situatën. Një deputet rus e paraqiti një projekt-rezolutë për një hetim mbi “trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”. Kjo u bë më pas, në fund të 2010-tës, raport i Dick Martyt, sipas emrit të këshilltarit në Zvicër, i zgjedhur “liberal-radikal” nga Tessin, ish-prokuror, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Dick Marty është ajo që quhet, në traditën leniniste, një “idiot i dobishëm”. Ai nuk e ndan vizionin e Partisë, ai është për më shumë, objektivisht, në kampin e armikut. Por, për arsye që s’mund t’i imagjinojmë (anti-amerikanizmi? egoja? nevoja për të qenë i njohur në botë?), ai është i gatshëm për t’u bërë zëdhënës i një kauze të cilën e mbështet Partia.

Për të çdo gjë filloi në vitin 2006 me një raport, para Këshillit të Evropës, për burgjet sekrete të CIA-s në Evropë (në të cilat do të mbaheshin xhihadistë). Mund ta imagjinojmë lehtë intensitetin e punës të hetimit që duhej ta bënte një parlamentar zvicran për një temë kaq senzitive dhe burimin e informatave. Këshilli i Evropës më pas ia beson atij një mision informues mbi situatën në Çeçeni, në Ingusheti dhe në Dagestan. Raporti i tij mbi këtë temë, në 2009, i lejon atij që t’i falënderojë përgjegjësit e Sigurisë dhe të Drejtësisë në këto republika të Federatës së Rusisë ku ai arriti ta zhvillojë hetimin në shpirtin më të mirë të bashkëpunimit, megjithatë duke e zbuluar – pavarësia e obligon – që “situata e pandëshkueshmërisë gati totale për krimet e kryera nga përfaqësuesit e forcave të rendit në kuadër të operacioneve anti-terroriste duket që vazhdon.”

Me raportin Mary, pjesa e fundit e fitilit të operacionit të dezinformatës ishte e gatshme. Ndërkohë zbulohet rastësisht një trafikim i verërtet organesh, në 2008, në Kosovë: në klinikën “Medicus” në Prishtinë, veshkë merreshin nga dhurues, disa që vinin posaçërisht nga jashtë, përkundrejt një pagese.  Provokim në të cilin kishin rënë kirurgë shqiptarë të joshur me karrem për përfitim? Afera e klinikës “Medikus” i jepte një dukje të jashtëzakonshme të vërtetësisë akuzave të trafikimit të organeve të bëra nga UÇK-ja disa vite më parë. Ajo u përdor ashtu siç i konvenoi Dick Martyt në raportin e tij “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i ndaluar i organeve njerëzore në Kosovë”.

Ishte mbi bazën e këtij raporti, të aprovuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që u vendos për krijimin e këtij institucioni tejet origjinal i cili është Tribunali special. Tribunalet e Kosovës të konsideruara si të pazonjat ta sigurojnë mbrojtjen e dëshmitarëve, u pajtua krijimi i një strukture ad hoc hibride, gjysëm-kosovare e gjysëm-ndërkombëtare, e quajtur “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special”. I përcaktuar kësisoj, tribunali është origjinal sepse ai duhet të gjykojë në bazë të ligjeve të Kosovës, por selia e tij është Haga. Ai financohet nga BE-ja. Ai tashmë është i integruar në sistemin juridik kosovar, ndërkohë që personeli i tij (gjyqtarët dhe prokurori) përbëhen nga qytetarë të Bashkimit Evropian, nga SHBA dhe Kanadaja.

Tashmë e dimë që ai nuk do ta gjykojë atë që e themeloi atë: trafikimin e pretenduar të organeve. Por, mbetet që goditja ka pasur sukses në mënyrë perfekte. Dënimi mbi prova të rreme nuk ishte qëllimi i kërkuar. Suksesi mbetet tek gjurmët që do të ketë lënë gënjeshtra: “Shpifni, shpifni, gjithnjë do të mbetet diçka prej shpifjes!”Dhe në “pataten e nxehtë”, sot në duart e udhëheqësve të Bashimit Evropian: Tribunali special për Kosovën.

Mos t’i pësojmë më pasojat e mashtrimit

Është urgjente që Bashkimi Evropian e merr në dorë dosjen Serbi-Kosovë. Në 1998-1999, e ndarë, e pazonja që t’i ndalojë shtypjet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, BE-ja vetëm e ndoqi vendimin amerikan. Më pas ajo u abuzua nga ky manipulim i shërbimeve sekrete serbe e ruse të cilat kanë sjellur krijimin e Tribunalit special. Dhe nuk ishin në Evropë, por në SHBA, me mbështetjen e Donald Trumpit, ku u mbajtën negociatat e fundit ndërmjet serbëve dhe kosovarëve, mbi normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Serbia dhe Kosoba janë dy shtete evropiane të cilat janë të thirra për tu bërë anëtare të BE-së. Sot janë demokraci. Duhet qetësuar. Dhe të jepen perspektiva të reja.

Ndjesia e padrejtësisë e ndier nga kosovarët është ekstreme. Nëse ata përgjithësisht e konsiderojnë luftën e tyre të drejtë, ata janë larg së qeni unanim në lidhje me gjykimin të cilin e mbajnë për mënyrat se si ajo u zhvillua. Dhe nuk është e diskutueshme që krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit (në kuptimin që atyre u jepet sot këtyre koncepteve) janë kryer nga UÇK-ja. Por, si të gjykohen këto krime në një tribunal ndërkombëtar pa i gjykuar në të njëjtën kohë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, numër tejet i madh i tyre, masive dhe mire të dokumentuara, të kryera nga forcat e sigurisë, të ushtrisë dhe paramilitarët serbë në Kosovë?

Një vendim i arsyeshëm do të ishte që shpejt të mbyllen dyert e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit Special dhe të transferohen dosjet e aktakuzave në Kosovë. Duke qenë institucione të integruara në sistemin juridik kosovar, procesi thjesht do të zhvendosej. Me fjalë të tjera, nëse më parë konsiderohej që ai ishte i zhvendosur në Hagë, ai tash do të zhvendosej në Kosovë.

Nënkuptohet që të akuzuarit do të liroheshin menjëherë dhe do të paraqiteshin të lirë para tribunalit.

Serge Métais është autor i “Historia e shqiptarëve. Nga Iliria deri tek pavarësia e Kosovës” Fayard, 2006.