Trump uron Thaçin për 11-vjetorin e Pavarësisë, përmend marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes një letre dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë, njofton zyra për informim e Presidencës.
Trump i ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare.
“Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Trump.
Kjo është letra e plotë e Presidentit të SHBA-së dërguar Presidentit të Kosovës:
Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë së shtetit tuaj.
Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare.
Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës.

Lini një Përgjigje