Turshitë janë të mira për shëndetin e zorrëve

0
361

Formimi i baktereve në një kavanoz të mbyllur me perime që lihet ashtu për disa muaj me radhë nuk duket si gjëja më e shijshme e mundshme, por fermentimi ka shumë të mira. Mjafton të shikoni japonezët dhe koreanët, të cilët kanë qindra vite që fermentojnë jo vetëm perimet, por edhe peshkun.

“Kimchi” koreane bëhet me lakra që zhyten në ujë të kripur për të vrarë bakteret e dëmshme. Bakteri që mbetet, i quajtur Lactobacillus, shndërron sheqerin dhe karbohidratet në acid laktik, që mbron perimet dhe i jep atyre shijen pikante që aq shumë veta e adhurojnë. Ky lloj bakteri nuk është armiku, por është i mirë për sistemin tretës dhe rrjedhimisht për shëndetin tonë. Ky bakter është i domosdoshëm për zorrët në mënyrë që të luftojnë bakteret e këqia, të vendosin balancën e sistemit imunitar dhe të ndihmojnë në funksionimin sa më të mirë të trupit.

“Bakteret e mira” quhen probiotikë, që do të thotë “për jetën”, për shkak të funksionit që kryejnë. Por, a ka mjaftueshëm baktere të mira nëpër turshi sa për të bërë një ndryshim të dukshëm? Një profesor londinez thotë: “Ka shumë perime që bëhen turshi dhe që nuk janë studiuar akoma, kështu që nuk e dimë ende se çfarë bëjnë. Por, e rëndësishme është që nuk janë aspak të rrezikshme nëse prodhohen në mënyrë natyrale, pa uthull”.
“Mendojmë se turshitë mund të lejojnë prodhimin e kimikateve që përmirësojnë sistemin imunitar, pasi probiotikët ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së atyre që kanë probleme me zorrët. Gjithsesi, studimet janë kryer deri tani vetëm te kafshët dhe mungojnë testet te njerëzit”, shton profesori Tim Spector.

Mendohet se të vegjlit, të moshuarit dhe ata që kanë probleme me zorrët janë personat që përfitojnë më shumë nga të ngrënit e turshive, por ka shumë pak fakte mbi atë që turshitë bëjnë për një person të shëndetshëm. Çelësi është përqendrimi te probiotikët, që ushqejnë zorrët me baktere të mira, duke i ndihmuar ato të marrin substancat që i nevojiten./tiktak.al/